Zyra e Kosovës në Serbi, ambasadorët kosovarë hezitojnë të shkojnë në Beograd
Ministria e Jashtme e Kosovës ende nuk ka dhënë propozimet e saj për përfaqësuesin e Kosovës në Serbi, pavarësisht premtimeve të mëparshme se lista do të finalizohet brenda dhjetorit.Zyrtarët e kabinetit të ministrit të jashtëm të Kosovës Enver Hoxhaj kanë deklaruar për mediat se kjo ministri nuk ia ka dorëzuar Kryeministrit Hashim Thaçi akoma listën me propozimet për përfaqësuesin e Kosovës në Serbi.“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ende nuk e ka dërguar listën me kandidatët potencialë, të cilët do të mund të emëroheshin si përfaqësues të Republikës së Kosovës në Serbi”, thuhet në letrën drejtuar mediave nga zyrtarët e ministrisë së jashtme në Kosovë.Ndërkohë mediat në Kosovë theksojnë se arsyet e vërteta të kësaj vonese lidhen me hezitimin e ambasadorëve kosovarë për të shkuar në Beograd.Emërimi i ambasadorit i cili pritet ta përfaqësojë Prishtinën në Beograd, ishte paralajmëruar të ndodhë që në dhjetor të vitit të kaluar. Për këtë afat kohor ishte zotuar edhe vetë kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi.