Jahjaga e Thaçi urojnë besimtarët ortodoksë për Krishtlindje

Me rastin e Krishtlindjeve ortodokse, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë dhe qytetarët e vendit.“Festa e Krishtlindjes është një ditë e veçantë për besimtarët ortodoksë. Ajo bartë me vete porosinë për paqen, harmoninë, respektin dhe besimin në njëri-tjetrin”, thuhet pos tjerash në mesazhin e presidentes Jahjaga.Më tej ajo ka theksuar “uroj që këtë ditë të shënuar për ju, ta kaloni me njerëzit tuaj të dashur. Uroj që kjo ditë të shërbejë si rast për të shtuar respektin mes të gjithë qytetarëve, për të vepruar për një të nesërme edhe më të mirë për të gjithë”.Edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka uruar besimtarët ortodoksë për Krishtlindje.“Kjo festë e gjen Kosovën duke përmbushur agjendën e saj evropiane, të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet, dhe me një synim të qartë për t’u bërë pjesë e vlerave evropiane, duke u integruar në BE dhe në NATO”, thuhet pos tjerash, në urimin e zotit Thaçi, njofton Zyra e kryeministrit.Mëtutje theksohet se “të gjithë qytetarëve të besimit ortodoks të Kosovës iu uroj që ky vit të jetë i respektit për njëri-tjetrin, i tolerancës dhe besimit në ardhmërinë tonë të mirë”.