Vazhdon dhuna brutale ndaj shqiptarëve, rrihen brutalisht 4 adoleshentë në Shkup
Vazhdon rrahja e fëmijëve shqiptarë nga grupe huliganë maqedonas. Viktimat e fundit janë katër 16 vjeçarë shqiptar, të rrahur në lagjen Aerodrom të Shkupit, pa ndonjë shkas apo pretekst.Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00, në lagjen Aerodrom, kur katër të rinjtë kanë shkuar të japin testin e ndihmës së shpejtë, të nevojshme për patentë shoferin. Papritur janë sulmuar nga mbi 20 të rinjë maqedonas, ndërsa bilanci është një në gjendje shoku dhe tre me plagë të rënda trupore."Sa dolëm te udha, kur i pamë 20 veta, vrapuan, na zunë dhe na rrahën. Veq bërtitën, maqedonas ishin, edhe më si na zunë me besbollë na rrahën. Ata ishin 20-30 vetë, ne ishim pesë vetë", deklaroi Riad Iljazi, njëri prej të rrahurve.Prindi i Riadit tregon se nga frika që të mos ndodhë kjo që ka ndodhur sot, e ka tërhequr djalin nga shkolla e mesme ndërtimore "Zdravko Cvetkovski - GUC" e cila ndodhet në Karposh IV, por as që ka menduar se i biri do ti kthehet i rrahur brutalisht në momentin që ka shkuar të jep testin për patent shofer."Unë jam prindi i Riadit. Vitin e parë e ka të kryer në GUC. Për këtë arsye e nxorra, e dija se do ndodhë kjo, por prap ja që ndodhi. Te shqiptarët nuk ka përgjegjësi, nuk ka kush i mbron askush. Ky shtet për mua është katastrofë. Me ndodh shqiptarët ti rrahin maqedonasit, kapen menjëherë. Shqiptarët kur rrihen, kryerësit nuk kapen asnjëherë. Nuk ka ndodhur rastësisht kjo", u shpreh Naser Iljazi, prindi i Riadit.Të rrahurit janë nga fshatrat Lubin, Kopanicë dhe Bojanë. Menjëherë pas rrahjes, ata janë transportuar në Spitalin e Qytetit në Shkup për marrjen e ndihmës mjekësore. Familjarët e tyre kërkojnë nga policia që rasti të zbardhet urgjentisht dhe huliganët të marrin dënimin e merituar, ndërsa MPB ende nuk është prononcuar lidhur me këtë rast.