Maqedoni, Qeveri teknike para zgjedhjeve

Një Qeveri teknike që do të organizojë zgjedhjet lokale të Marsit të këtij viti, është kërkesa e opozitës nw Maqedoni.Ky do të jetë kushti i bllokut opozitar Maqedonas për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të Marsit.Propozimi për Qeveri Teknike muaj më parë ishte bërë nga Partia Shqiptare Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), por e cila kishte kushte tjera për të zhbllokuar proçeset Eurointegruese dhe për të zgjidhur kontestin e emrit, që më pas të organizoheshin zgjedhjet e përgjithshme në Maqedoni.Partitë e maxhorancës nuk kanë komentuar propozimin e opozitës, që do të zyrtarizohet javën tjetër pas festave të Pashkëve Ortodokse. “Ky regjim i Gruevskit nuk ka kredibilitet për të garantuar zgjedhje të lira dhe demokratike,prandaj kërkojmë formimin e një qeverie teknike, me ekspertë apo çfarëdo lloj qeverie tjetër me mandat për të organizuar zgjedhje të lira”, theksoi për gazetën “Vest”, një zyrtar i LSDM-së, duke shtuar se funksionarët e partisë së tyre nuk do të jenë pjesë e qeverisë teknike të përkohshme.PDSH ka akuzuar RDK se po vepron në përputhje me veprimet e opozitës maqedonase, pasi që dy deputetët e kësaj partie shqiptare po bojkotojnë Parlamentin. Por, nga ana tjetër, RDK ka hedhur poshtë zërat e tillë, duke theksuar se nuk qëndrojnë në harmoni me asnjë parti maqedonase, pasi edhe VMRO-DPMNE, por edhe LSDM janë të njëjta kur bëhet fjalë për çështjet e shqiptarëve.RDK thekson se ideja e tyre daton disa muaj më parë dhe se propozimi për Qeveri teknike ishte kundërshtuar nga vetë lideri i LSDM, Branko Cërvenkovski në periudhën e bashkëpunimit midis LSDM dhe PDSH.Bashkësia ndërkombëtare po ndjek zhvillimet në Maqedoni, duke apeluar për uljen e tensioneve dhe kontradiktave midis forcave politike dhe zgjidhjen e tyre përmes dialogut politik dhe rrugës demokratike.