Kuçi-Zhbogarit: Nuk lejohet vizita e Nikoliçit në Kosovë
Prishtina zyrtare nuk lejon hyrjen e Presidentit serb Timosllav Nikoliç në Kosovë.Duke iu përgjigjur letrës së shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, njëherësh, përfaqësues special i BE-së i cili kërkoi lejimin e vizitës së presidentit Nikoliç në Kosovë, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi thekson se kjo leje nuk do të jepet.Gjithashtu në letrën e tij, Kuçi paraqet edhe rastet kur nuk është lejuar vizita e ministrave të Kosovës për të vizituar Preshevën.“Më 1 janar 2012, Ministri ynë i diasporës, Ibrahim Makolli, ka kërkuar ta vizitoj Serbinë për takime me pjesëtarët e komunitetit në Preshevë. Për fat të keq, kjo vizitë nuk është pranuar. Më 26 Dhjetor 2012, zëvendëskryeministrja jonë dhe Ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, poashtu kërkoi ta vizitoj Serbinë, për takim me pjesëtarë të ndryshëm të komunitetit në Preshevë, për arsye jopolitike. Për fat të keq kjo vizitë, poashtu, nuk është pranuar”, thuhet në letrën e Kuçit.Gjithashtu, ai thekson se Kosova “ka treguar fleksibilitet substancial gjatë muajve të fundit, për vizitat zyrtare nga Serbia. “Besoj se kjo do të vazhdojë, nëse ekziston vullnet i mirë në të dy anët, dhe gatishmëria për përkushtim ndaj aranzhimeve reciproke, pa të cilin ne nuk mund të miratojmë këtë kërkesë ose çfarëdo kërkese tjetër zyrtare të kësaj natyre” thekson Kuçi.