Hoxhaj:Kosova nuk ka pse të frikësohet nga dialogu

E ashtuquajtura platformë e Serbisë për Kosovën, nuk i ndalon drejtuesit e institucioneve të Kosovës që të marrin pjesë në dialogun me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më 17 janar është caktuar takimi i katërt i kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë në Bruksel me ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton.Që nga prezantimi i të ashtuquajturës platformë për Kosovën, pala serbe në vazhdimësi ka shfaqur synimin e saj për shtrirjen e pushtetit, e rrjedhimisht edhe cënimin e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës. Sidoqoftë, një platformë e tillë, nga përfaqësuesit institucionalë të Kosovës, cilësohet si një vazhdimësi e mentalitetit të vjetër të politikës serbe karshi Kosovës.Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj tha se edhe kjo platformë, si të gjitha platformat që Serbia ka hartuar që nga shekulli 19, do të mbetet në sirtar në Beograd dhe asnjë paragraf i saj, nuk do të merret parasysh nga Brukseli zyrtar. Prandaj, sipas Hoxhajt, Kosova nuk ka pse t’i frikësohet dialogut.“Ne do të vazhdojmë të marrim pjesë në dialog. Dialogu udhëhiqet nga Beronesha Ashton. Ajo ka dalë me një axhendë të saktë kohore, përmbajtësore, dihen temat e dialogut, kryeministri Thaçi ka informuar disa herë opinionin publik për temat që janë biseduar deri më tash, prandaj meqë agjenda përmbajtësore e dialogut, është publike, është e qartë, Republika e Kosovës do ta vazhdojë të jetë pjesë e atij dialogu”, tha Hoxhaj për Radio Kosovën.Dy partitë opozitare, LDK e AAK i kanë dhënë mbështetje me kohë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Madje nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala është emëruar koordinator i këtij procesi. E vetmja që vazhdon ta kundërshtojë dialogun pa kushte, është Lëvizja Vetëvendosje, e cila disa herë i ka bërë thirrje kryeministrit Hashim Thaçi që mos të shkojë në takimin e 17 janarit.Ndërkohë, në takimin e 17 janarit përveç të tjerash, pjesë e diskutimeve do të jetë edhe hapja zyrave ndërlidhëse në Prishtinë e Beograd, për zyrtarin e së cilës, Ministria e Punëve të Jashtme, ka bërë përzgjedhjen e tre emrave.Ndërkohë temë diskutimi pritet të jetë edhe shpërbërja e strukturave paralele në veri të Kosovës, ndërsa kryeministri Hashim Thaçi ka paralajmëruar se prioritet në këtë takim do ta ketë çështjen e personave të pagjeturve.