2013, viti i krizës politike dhe zgjedhjeve në Maqedoni

Në Maqedoni ky vit pritet të karakterizohet me krizë politike dhe zgjedhjet lokale, por duke mos përjashtuar edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.Kriza politike po vijon nga fundi i vitit të kaluar, me tensionet e krijuara midis pozitës dhe opozitës maqedonas lidhur me miratimin e buxhetit për këtë vit në seancën e 24 dhjetorit, kur deputetët e opozitës u përjashtuan dhunshëm nga salla e Parlamentit të Maqedonisë dhe më pas maxhoranca miratoi buxhetin, pa debat dhe diskutimin e amendamenteve të opozitës maqedonase dhe asaj shqiptare.Opozita maqedonase ka braktisur Parlamentin dhe po vazhdon protestat në rrugë, duke akuzuar qeverisjen aktuale për shkeljen dhe suspendimin e demokracisë.Bashkësia ndërkombëtare ka bërë thirrje për qesimin e situatës dhe kthimin e dialogut politik, zbatimin e reformave dhe përmbushjen e detyrimeve lidhur me marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.Ky vit do të jetë edhe viti i zgjedhjeve, pasi që në muajin mars do të mbahen zgjedhjet e rregullta lokale. Opozita gjithashtu ka kërkuar ndryshime të Kodit zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, por maxhoranca ka theksuar se janë miratuar ndryshimet e këtij kodi, sipas rekomandimeve ndërkombëtare.Opozita ka kërkuar kodin zgjedhor dhe pastrimin e listave zgjedhore, në rast të kundërt ajo ka paralajmëruar bojkotimin e zgjedhjeve. Partitë politike gjithashtu nuk kanë përjashtuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti.Partia e kryeministrit Nikolla Gruevski po shqyrton mundësinë e caktimit të zgjedhjeve lokale dhe të parakohshme parlamentaren në një pako, duke shmangur harxhimet dhe kohën e humbur me zgjedhje. Partitë politike shqiptare gjithashtu kanë theksuar se janë të gatshme për tu ballafaquar në dy palë zgjedhje.