Jacobson: Është herët për dorëheqjen e Jahjagës

Ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson ka deklaruar se është herët të flitet për dorëheqjen e presidentes Atifete Jahjaga.“Edhe nëse dëshirojmë të flasim për marrëveshjen e arritur politike, sa e kuptoj unë, ideja ka qenë se Presidentja do të tërhiqet pasi të ketë përfunduar reforma zgjedhore dhe reforma kushtetuese, e cila mundëson zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit. Prandaj, është shumë  herët të flitet për dorëheqjen e saj”, ka thënë ambasadorja amerikane në Kosovë.Ndërkohë ditë më parë, mediat kosovare kanë theksuar se Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka gjasa të largohet nga detyra si shkelëse e Kushtetutës, ashtu sikurse dy paraardhësit e saj, Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli.Emërimi i Blerim Shalës si Koordinator për dialogun me Serbinë pritet t’i shkaktojë telashe serioze Presidentes së Kosovës.Sipas mediave kosovare nëse rasti shkon në Gjykatën Kushtetuese, gjasat janë të mëdha që Atifete Jahjaga të shpallet shkelësja e radhës e aktit më të lartë politik dhe juridik të vendit.LDK dhe Vetëvendosje po shqyrtojnë mundësinë për ta dërguar në Gjykatë emërimin e Blerim Shalës si Koordinator për dialog, të bindura se me këtë akt Presidentja shkeli Kushtetutën.Zyrtarët e partisë së dytë dhe të tretë opozitare kanë thënë se janë në proces shqyrtimi të vendimit të Presidentes, e cila ka emëruar deputetin e AAK-së në postin e bashkëbiseduesit në dialogun me Serbinë.Menjëherë pas këtij vendimi, Blerim Shala është akomoduar në një zyrë në ndërtesën e Qeverisë, ku i është ndarë paga prej 1 mijë e 30 eurosh si dhe i është mundësuar të ketë këshilltar, asistente dhe shofer.