Komisioneri i ri, Totozani: Do propozoj një person me aftësi të kufizuar

Avokati i Popullit Igli Totozani ka deklaruar se do t'i propozojë Parlamentit si numrin dy të këtij institucioni një person nga rradhët e njerëzve me aftësi të kufizuar.I ftuar në edicionin informativ të orës 20:00 në "Ora News", Totozani tha se do të nisë konsultimet me mazhorancën dhe opozitën për të propozuar emra konkretë, ndërsa e konsideroi zgjedhjen në këtë detyrë të një personi me aftësi të kufizuar si një revolucion në administrtën shqiptare."Jam konsultuar me stafin dhe bashkëpunëtorët tanë në shoqërinë civile. Dhe kemi dalë në përfundimin se do ishte një revolucion i vogël në administratën shqiptare që numri dy i Avokatit të Popullit të jetë nga kjo shtresë e bashkëqytetrëve tanë. Ata janë të mirëshkolluar, këmbëngulës dhe shumë të zellshëm, për më tepër do jenë avokatë të mirë të problemeve të tyre. Janë shtresa me më shumë probleme në Shqipëri, ka prej tyre që kanë 3 muaj që nuk marrin as pagesën mujore të ndihmës, disa nga subvencionet u janë prerë. Shpresoj që Parlamenti ta përqafojë si parim. Ende nuk kam arritur te emra konkretë, patjetër do konsultohem me krerët e mazhorancës dhe opozitës në Parlament përpara se të propozoj emra, por dëshiroj ta shpall si parim dhe si dëshirë. Duam që komisioneri i ri i Avokatit të Popullit të jetë nga kategoria e njerëzve me aftësi të kufizuar" tha Totozani.Aktualisht një nga Komisionerët e Avokatit të Popullit ka paraqitur dorëheqjen dhe Parlamentit do t'i propozohet një emër i ri.