Dënimi i mbaroi 2 muaj më parë, vdes i harruar në burg 79-vjeçari nga Shkodra

Në një kohë kur shumë autorë krimesh të ndryshme marrin dënime qesharake nga gjykatat apo nuk dënohen fare, drejtësia ka bërë shembull një 80-vjeçar të sëmurë, të cilin fillimisht e kishin lënë të lirë, por më pas ka dalë një tjetër vendim për ta rikthyer në burg, e më pas ky i fundit ka humbur jetën në qelitë e paraburgimit në Krujë, i harruar nga organet e drejtësisë edhe pse mbahej padrejtësisht në qeli.Kolë Simon Kola ka ndërruar jetë në qeli edhe pse kishte dy muaj që kishte përfunduar dënimin, ndërsa sipas të afërmëve mbahej padrejtësisht nga prokuroria dhe gjykata e Krujës ne qeli. Kolë Simon Kola në vitin 1987 ishte dënuar me 25 vite burg për vrasje dhe ka nisur vuajtjen e dënimit po në vitin 1987.Në vitin 1997, ai u kthye në shtëpi. Në vitin 2004 është arrestuar sërish dhe ka qëndruar në burg deri në vitin 2011. Kola nga 25 vite kreu 17 vite burg. Kështu, në moshën 79-vjeçare, Gjykata e Apelit në Shkodër e dënoi me kusht “qëndrim në banesë”, duke u mbikëqyrur nga policia.Ky vendim u dha për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore dhe moshës që kishte. Për më tepër, nuk i kishte mbetur shumë nga dënimi, pasi kishte përfituar dhe amnisti të ndryshme.Ndërsa kishte mbetur i shtrirë në shtëpi me 4 tetor të këtij viti policia e arrestoi në banesë, pasi Gjykata e Krujës kishte marrë një vendim për ta rikthyer në burg, pasi sipas kësaj të fundit të moshuarit i kishin mbetur edhe 7 ditë nga kryerja e denimit. E megjithate që nga 4 tetori i këtij viti askush nuk u kujtua për të moshuarin, i cili u harrua në qeli pavarësisht kërkesave të mbrojtjes dhe familjarëve për lirimin e tij.