Sherr për një linjë uji, i plagos me thikë dy vëllezërit në Librazhd

Edhe pse një ditë feste, kremtimi i lindjes së Jezu Krishtit, nuk ka mundur ti vërë fre krimit në vend. Mbrëmjen e sotme dy vëllezër kanë mbetur të plagosur pas një sherri që kanë pasur me një person të tretë.Arton dhe Sherif Lloga, 30 dhe 33 vjeç, banues në Librazhd janë qëlluar me thikë nga shtetasi Vangjel Biçaku në afërsi të stacionit të trenit, duke mbetur të plagosur rëndë. Të dy vëllezërit janë transportuar menjëherë në spital për marrjen e ndihmës mjekësore, nga ku mësohet se ndodhen në gjendje të rëndë për jetën.Policia e Librazhdit ka bërë të mundur ndalimin e menjëhershëm të autorit të dyshuar për plagosjen e vëllezërve Lloga, ndërsa bën me dije se shkak i konfliktit mes palëve është bërë një linjë uji i pijshëm.Nga ana tjetër vetë familjarët e të plagosurve për “Ora News” kanë deklaruar se ndihen të kërcënuar nga shtetasi Vangjel Biçaku, i cili është person me precedentë penal. Madje shqetësimi i tyre shkon edhe më tej, teksa rrëfejnë sesi janë refuzuar nga policia teksa kanë tentuar të depozitojnë kallëzim penal ndaj tij, duke u nxjerrë me forcë nga komisariati.