Krishtlindjet në Kosovë, Ipeshkvi pritje me personalitetet e larta

Besimtarët e krishterë po festojnë Krishtlindjet. Mesha e mesnatës për Krishtlindje u mbajt në Katedralen “Zoja Ndihmëtare” në Prizren. Meshën e udhëhoqi, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.Në meshë përveç besimtarëve katolikë, ishin të pranishëm edhe presidentja, Atifete Jahajga, kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, si dhe përfaqësues të KFOR-it. Lumturi, unitet dhe paqe, ka qenë mesazhi i meshës së Krishtlindjeve.Imzot Dodë Gjergji foli për Krishtlindjet, rolin e kishës në shoqëri. Ai u lut për të gjithë besimtarët për shëndet, lumturi dhe mirësi. Gjatë ceremonisë u lexuan pjesë të zgjedhura nga Bibla, dhe u kënduan këngë kishtare.Imzot Dodë Gjergji ka pritur mysafirë të shumtë të cilët i ka uruar për këtë festë të rëndësishme të besimtareve të krishterë. Besimtarët të krishterë i kanë uruar edhe liderët e institucioneve dhe partive politike me rastin e festës së Krishtlindjes.Sipas kalendarit të krishterë, Krishtlindja është dita e lindjes së Krishtit, djalit të Zotit të dërguar në këtë botë për të shpëtuar njerëzimin nga mëkatet dhe për të bërë paqen mes Zotit dhe njerëzve dhe gjithë njerëzimit së bashku. Sipas ungjijve të njohur dhe të pranuar nga Vatikani, Jezusi lindi nga Maria në Betlehem, ku ajo dhe i shoqi i saj Jozefi po pushonin rrugës për në vendlindjen e tyre, Nazaret.Lindja e Krishtit, festohet edhe me 7 janar nga Kisha Ortodokse, sipas kalendarit Julian. Kisha evangjeliste, katolike dhe ajo protestante, festojnë në datat 24 dhe 25 dhjetor, sipas kalendarit Gregorian.