Stuttgarti, Wolfsburgu dhe Schalke 04 kërkojnë Lorik Canën

Lorik Cana mund të ketë luajtur sezonin e tij të fundit tek skuadra e Lazios. Mbrojtësi shqiptar me shumë mundësi nuk do të jetë më pjesë e bardhë e kaltërve sezonin ardhshëm dhe shërbimet e tij kërkohen nga një sërë klubesh europiane.

Mediat italiane raportojnë sot se për kapitenin e kombëtares tonë kanë shfaqur interes tre klube gjermane , ato janë Stuttgarti, Wolfsburgu dhe Schalke 04. Në këtë mënyrë mbrojtësi ynë mund ta vazhdojë karrierën e tij në Bundesligë duke qënë se ofertat për të nga ky kampionat nuk po mungojnë. Lorik Cana falë aftësive të tij mund të përshtatej mjaft mirë në kampionatin gjerman.

Nëse kalimi i 30 vjeçarit në Bundesligë realizohet atëherë do të jetë hera e parë që futbollisti nga Prishtina do të luante në Bundesligë pasi më parë ka qënë pjesë e kampionatit francez me klube prestigjioze si PSG dhe Olympic Marseille, më pas Cana luajti për një sezon në Premier League me Sunderlandin ku mbulonte dhe rolin e kapitenit ndërsa në vitin 2010 erdhi transferimi në Turqi tek Galatasaray, në fund edhe kampionati italian me fanellën e Lazios.

Ndërkohë shumë pranë largimit nga Lazio është edhe mbrojtësi tjetër Michael Ciani i cili kërkohet nga disa klube në Francë.