E mbijetuara e Himarës, kthehet ne atdhe Florije Peçi
Pas 5 muaj lufte me vdekjen në spitalin e Vjenës, studentja nga Librazhdi Florije Peçi, sheh dritë në fund të tunelit. Një nga të mbijetuarat e aksidentit tragjik të Himarës 21 majin e këtij viti është rikuperuar pothuajse plotësisht në Austri dhe është bashkuar më në fund me familjen e saj në vendlindje. Me një pritje të përmalluar familjarët nuk e kanë fshehur dot gëzimin për kthimin e Florijes, që megjithëse ende në karrocë është rikthyer në jetë.Florije Peçi u dërgua pak ditë pas aksidentit në Vjenë, ku mori mjekim të specializuar duke u nxjerrë nga koma artificiale pasi kishte dëmtim shumë të rëndë në shtyllën kurrizore. Peçi është një nga të mbijetuarat e aksidentit në Himarë, ku humbën jetën 13 persona pothuajse të gjithë studentë të Universitetit të Elbasanit.