Dita e 20-të e grevës, tjetër ish i dënuar politik tenton të vetëdigjet

Një tjetër ish i dënuar politik ka tentuar t`i vendos flakën vetes në afërsi të cadrave të grevës së urisë së ish te përndjekurve. Policia ka parandaluar djegien e ish të përndjekurit politik Gani Aliaj dhe më pas e ka shoqëruar në komisariat. Sipas policisë ish i përndjekuri, Aliaj nuk ka qenë pjesë e grevës, por ka hyrë në zonën ku ndodhen grevistët, ka lyer trupin me benzine, më pas ka tentuar të vetëdigjet.Aktualisht në spitalin e djegieve në Qëndrën Spitalore Univeristare “Nënë Tereza” në Tiranë ndodhen dy ish të përndjekur që janë vetëdjegur, Gjergj Ndreca, i cili ndodhet jashtë rrëzikut për jetën dhe Lirak Bejko, i cili është në gjendje të rëndë, pasi ka një përqindje të madhe të trupit të djegur. Mësohet se nëse gjendja e Bejkos do të përkeqësohet ai do të dërgohet për një kurim më të specializuar në Itali. Sipas burimeve spitalore mësohet se është bërë komunikimi me një spital në Itali që ka dhënë ok, por ky veprim do të bëhet nëse situata do përkeqësohet .Një fakt të tillëe konfirmoi edhe Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, ku deklaroi se ky institucion është në kontakt me spitalin e djegieve në Romë dhe Janinë për transport në çdo moment.“Gjendja shëndetësore e grevistëve është e stabilizuar. Gjergj Ndreca është jashtë rrezikut për jetën, sot kërkoi të dalë nga spitali. Jemi në kontakt me spitalin e djegieve në Romë dhe Janinë për transport në çdo moment. Ky vendim i takon mjekëve dhe jo politikanëve” u shpreh ai.