Raporti i GFI-së, Bode: Po bëhen akuza të pabaza
Ministri i Financave, Ridvan Bode ka reaguar sot për raportin e "Global Financial Integrity” ndërsa akuzuar opozitën se po përbalt në mënyrë të pabazë qeverinë dhe vendin.Gjatë një konference për mediat, Bode ka theksuar se në këtë raport ku përfshihen 143 vende, Shqipëria renditet e 106-a, pozicion ky më i mirë krahasuar me disa shtete të tjera.“Në mungesë të argumenteve politike e duke qenë jashtë debatit të ekonomisë e realitetit në botë e në vend dhe në kompleksin e fajit për penalizimin e vendit për bllokimin në integrim, kërkojnë të sajojnë argumente për të denigruar qeverinë e ngarkuar atë me gjëra të pavërteta. Renditja bëhet sipas rendit zbritës, pra në nivelet më të larta të hierarkisë janë vendet që kanë diferenca më të mëdha në flukset dalëse të kapitaleve. Sipas shpjegimeve që jepen bëhet fjalë për matjen e diferencave mes flukseve dalëse të kapitaleve, ose pagesave të bankave qendrore dhe flukseve tregtare. Këto të dhëna janë të raportuar zyrtarisht nga qeveritë përfshirë dhe ne, dhe të regjistruara nga FMN dhe BB”tha Bode.Sipas Bodes, duke iu referuar sqarimit që bëhet në këtë raport, ai nuk bazohet në flukse të evazionit që janë të papërfshira në bilanc, as në nxjerrje parash nga pikat e kalimit kufitar, as në ndonjë hetim të brendshëm të vendeve.“Vetë renditja dëshmon për një raport tërësisht normal, jemi në vendet e fundit në këtë tregues. Në kontekst rajonal, janë Serbia, Bullgaria, Kroacia me 1.5 mld dollarë, Mali i Zi, Rumania, Bosnje Hercegovina, Maqedonia dhe në fund ne me 136 milionë dollarë në vit. Diferencë që opozitarët e quajnë si korrupsion të nxjerrjes së parave. Debati synon të përbaltë qeverinë, por dëshmon për të kundërtën, në realitet përbalt vendin, ndërkohë që vendi ndodhet në një pozicion të nderuar” shtoi më tej Bode.Raaporti i "Global Financial Integrity" u publikua disa ditë më parë dhe në të theksohej se 1.3 miliard dollarë janë larguar nga Shqipëria.