KKRT, seminar për transmetimet numerike
Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit ka organizuar sot një seminar në lidhje me kalimin nga sistemi analog i transmetimeve audiovizive në sistemin dixhital (numerik).Në fjalën e saj, kryetarja e KKRT-së Endira Bushati theksoi se kalimin në sistemin numerik është një hap i rëndësishëm për mediat shqiptare.Ndërsa nënkryetari i komisionit të medias Mark Marku theksoi se kalimi nga sistemi analog në sistemin numerik do të përmirësojë cilësinë e transmetimit në media.“Krahasuar me 20 vite më parë ka ndryshuar gjithçka në rrafshin mediatik. Është bërë një investim kolosal i mediave private dhe investimi ka sjellë përmirësim në cilësinë e informimit. Dixhitalizimi ka sjellë dhe ndryshim të mentalitetit tek gazetarët” tha Marku.Ndërsa presidenti i RTV “Ora News”, Ylli Ndroqi kërkoi më shumë bashkëpunim mes operatorëve për realizimin e kësaj platformë dixhitale."Nuk mund të miratosh një platformë dixhitale pa pasur një bashkëpunim mes operatorëve. Unë jam dakort që dixhitalizimi të bëhet sa më shpejt dhe ky është një ligj dhe një hap në momentin e duhur por duhen edhe partnerët e duhur për ta udhëhequr këtë nismë. Për të realizuar një projekt të tillë duhet të jemi të gjithë të sigurtë dhe të kemi një bashkëpunim” theksoi zoti Ndroqi.Gjithashtu, presidenti i RTV "Ora News" hodhi idenë për të organizuar një tender në lidhje me kompaninë e cila do të marrë të drejtat e transmetimeve dixhitale."Ne duhet të bëjmë një tender dhe kompania që do të marrë të drejtën për të transmetimet dixhitale të bindë të gjithë operatorët që ka të ardhura të mjaftueshme” shtoi më tej Zoti Ndroqi.Ndërkohë qëllimi i këtij seminari është njohja me detyrimet dhe angazhimet që rrjedhin në kuadër të zbatimit të Strategjisë së Kalimit nga Transmetimet Analoge në Transmetimet Numerike, nevoja e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë proces, për realizimin me sukses të tij brenda afateve të përcaktuara.Në seminar kanë marrë pjesë edhepërfaqësues të institucioneve shtetërore, që janë të përfshirë në procesin e kalimit në sistemin numerik, si dhe të operatorëve tv, kombëtar dhe vendor.