Pacolli sfidon veten në zgjedhje: I fundit në listën e AKR-së

Kosovë- Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, nuk do të kryesojë listën zgjedhore të partisë së tij. Në rrjetin social fb, Pacolli ka bërë me dije se emri i tij do të renditet i fundit në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në Kosovë. Me këtë akt, Pacolli shprehet se po realizon simbolikisht një qëllim që e kishte prej kohësh, si shenjë vlerësimi ndaj bashkëpunëtorëve të tij dhe votuesve kosovarë gjithashtu.“Të nderuar miq të mi, qytetarë të Kosovës! Një qëllim të vjetër po e realizoj sot edhe simbolikisht. Është dëshira që kam për të treguar respektin dhe vlerësimin tim për njerëzit me të cilët veproj, dhe të cilët janë bashkëvizionar në qëllimin për të ndërtuar një Kosovë ku vendi i punës nuk është luks dhe ku mirëqenia e qytetarit është interesi i vetëm i politikës.Unë nuk do t'i prij listës së AKR-së. Do të rënditem i fundit. Le të jete kjo një dëshmi para votuesit se për vizionin tim dhe të AKR-se me të rendesishëm se sa unë janë bashkepunetorët e mi, e më të rendesishëm se të gjithë ne së bashku, janë votuesit tanë - qytetarët e Kosovës.Vetëm keshtu ne jemi më të fuqishëm. Ne, kandidatët për deputetë jemi individe dhe fuqinë tonë e përcaktojnë qytetarët me votën e tyre.Me fat drejt fitoreve te reja! B.P”shkruan Pacolli.Lideri i Aleancës Kosova e Re e ka bërë të qartë se pas zgjedhjeve të 8 qershorit do të bëjë koalicion me atë parti politike e cila do t’ia garantojë implementimin e plotë të programit ekonomik të saj. Pacolli tha se edhe PDK dhe LDK po kërkojnë bashkëpunimin në qeverisje, pikërisht për shkak të programit ekonomik të AKR-së.