"Credit Suisse" pranon mashtrimin me taksat, dënohet me 2.6 mld dollarë
SHBA-Gjigandi bankar zvicerian, "Credit Suisse" është shpallur fajtor për një akuzë penale, për rolin e saj, duke ndihmuar amerikanët t'i shmangen taksave, ka bërë të ditur Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-ve, Erik Holder dhe do të paguajë 2.6 miliard dollarë, si pjesë e një marrëveshje me autoritetet amerikane.Ky është dënimi më i madh i dhënë pas një akuze penale në Shtetet e Bashkuara në këto 20 vitet e fundit. Prokurorët amerikanë akuzuan penalisht "Credit Suisse" dhe dy nga njësitë e saj, duke thënë se banka ka ndihmuar klientët për të mashtruar autoritetet tatimore amerikane, duke fshehur pasuritë e paligjshme, në një komplot të shtrirë në dekada."Ky vendim tregon se asnjë institucion financiar, pavarësisht madhësisë së tij dhe shtrirjes globale, nuk është mbi ligjin", tha Erik Holder në një konferencë shtypi.Shefi Ekzekutiv i bankës, Brady Dougan, tha se ka pranuar shkeljen e bërë, por është shprehur se banka nuk ka fituar asgjë nga ato veprime. Sipas tij, ky vendim do të reduktojë të ardhurat neto të bankës në tremujorin e dytë të këtij viti me 1.8 miliard dollarë.Gjithsesi, pavarësisht dënimit të rëndë, banka ka rënë dakord me rregullatorët amerikanë se nuk do ta humbasë licensën bankare në SHBA. Autoritetet amerikane kanë pikasur gjithashtu edhe 8 punonjës të "Credit Suisse" që kanë ndihmuar klientët në shmangien e taksave dhe bashkë me to, tashmë nën hetim janë edhe disa banka të tjera zviceriane, që gjithashtu kanë ndihmuar klientët të mashtrojnë tatimet amerikane.Në 2009-ën, një tjetër bankë zviceriane, UBS, u dënua për po të njëjtën akuzë nga rregullatorët amerikanë me 780 milionë dollarë, por arriti një marrëveshje që banka do ti dorëzonte autoriteteve të gjithë listën "sekrete" me emrat e personave që kanë kryer mashtrim me autoritetet tatimore, për të mos paguar asnjë taksë për vite me rradhë.