Serbia kërkon ndryshim të marrëveshjes për doganat me Kosovën

Ndonëse nuk ka kaluar as një javë që kur ka nisur zbatimi i marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM), ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Beogradi ka kërkuar nga Brukseli që të ketë ndryshim të marrëveshjes, në mënyrë që serbët të mos paguajnë doganë Kosovës për mallrat e tyre.Kryeministri serb, Ivica Daçiç, i cili ka marrë pjesë në marrëveshje, është takuar një ditë më parë me baroneshën Catherine Ashton, nga e cila ka kërkuar që prej datës 10 janar e vitit ardhshëm, serbët të mos paguajnë më doganë për mallrat që hyjnë në Kosovë.Kërkesa e tij ka ardhur pasi biznesmenët serbë kryesisht të veriut kanë paralajmëruar masa radikale kundër doganave.Por të njëjtën ditë, Beogradit i është bërë me dije nga EULEX-i, se dogana duhet paguar.“Duhet të paguani doganën, e sa i përket pagesës për atë vendosin udhëheqësit e bisedimeve nga Prishtina dhe Beogradi”, kështu citohet në mediet serbe, t’i ketë thënë të premten serbëve të veriut, shefi i Doganës në EULEX, Gafi Men.Ndërkohë mediat theksojnë se shumë kamionë që vijnë nga Serbia për në Kosovë, po kthehen prapa pasi nuk po mund të kalojnë pa pagesë, siç kanë bërë deri para 10 dhjetorit.“Janë me dhjetëra kamionë që janë kthyer vetëm tre ditë e fundit. Biznesmenët serbë nuk duan të paguajnë doganën e Kosovës, sepse nuk e njohin atë. Pastaj mallrat janë për banorët serbë të veriut dhe nuk kanë pse të paguajnë Prishtinën për këtë”, tha në kushte anonimiteti një politikan serb në veri.Nga ana tjetër, zyrtarë të qeverisë së Kosovës, nuk duan të komentojnë kërkesën e Dacicit për heqjen e pagesës së doganës.Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës, ka thënë, se doganat duhen paguar. “Kodi Doganor duhet të respektohet në çdo pikë kufitare të Kosovës në mënyrë të njëjtë”, tha ai.Sa i përket kthimit të kamionëve me mallra serbe, zyrtarë nga dogana të paktën zyrtarisht thonë se nuk kanë informacione të tilla.Sipas zëdhënësit të Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, çdo gjë po shkon në mënyrë të rregullt.“Ne nuk kemi pasur vërejtje. Mallrat po hyjnë, më shumë ka konsumime ditore, ushqime, pra import të mallrave komerciale”, tha Stavileci.Ndërkohë, analistë politikë në Kosovë mendojnë se tani është momenti për të parë se sa seriozisht e marrin marrëveshjen palët, përfshirë edhe Brukselin.Ndërkohë biznesmenët serbë kanë thënë, se marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit është shkelur, pasi kalimi i kamionëve me mallra që janë për veriun e Kosovës, po kushtëzohet me pagesën e doganës dhe taksave të tjera doganore. Ata gjithashtu kanë thënë, se në Jarinje nuk po zbatohen as garancitë që kanë marrë nga krerët e shtetit, se serbët nuk do të paguajnë doganë.