BE mbështet bashkinë e Tiranës me projektin për biznesin
Bashkimi Europian mbështet bashkinë e Tiranës me një projekt prej 700 mije eurosh që do të shkojë për bizneset e shtresat në nevojë. Fondi për kryeqytetin është pjesë e një projekti që ka bashkuar në Tiranë Italinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kroacinë dhe Mali e Zi dhe sipas nën/kryetares së bashkisë Jorida Tabaku do përdoret për hapjen e bizneseve të reja dhe grupet në nevojë."Fondi i akorduar Bashkisë së Tiranës do të dedikohet kryesisht në asistencën teknike, mbështetjen, hartimin e planeve të biznesit, në trajnimet për këtë grup në nevojë dhe sigurisht do të jetë edhe pika kryesore, për të mbështetur e ngritur biznese sociale, biznese të cilat kanë lidhje me shtresat sociale më në nevojë, biznese të cilat do të promovojnë dhe do të nxisin sipërmarrjen në një kategori të caktuar individësh, si personat me aftësi të kufizuar, gratë që kanë qenë subjekt i dhunës, familjet më në nevojë etj, të cilët e kanë të pamundur që të operojnë vetë dhe të ofrojnë shërbimet e tyre në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, pa mbështetjen e pushtetit lokal. Brenda tre mujorit të parë të vitit të ardhshëm, ne do të fillojmë me dy apo tre sipërmarrjet e para sociale dhe do ta shtrijmë këtë në të gjithë Tiranën, duke vazhduar në vijim edhe me minibashkitë e tjera, përveç minibashkisë 9, të cilën e kemi një ndër partnerët kryesorë në këtë projekt” tha Tabaku.Shuma e dedikuar për këtë projekt është 2 milionë euro për të gjithë partnerët , ku 700 mijë euro janë përcaktuar për Bashkinë e Tiranës. Ky institucion përveç këtij projekti ka garantuar se do të vazhdojë të shtrijë interesin e saj tek shtresat në nevojë edhe në rastet ku nuk janë juridiksion i këtij pushteti.