Mediu: Opozita të relektojë, të votojë 3 ligjet për integrimin
Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka akuzuar kreun e PS-së Edi Rama se bllokoi marrjen e statusit të vendit kandidat.Duke folur në konferencën e PR-së të degës së Tiranës, Mediu i ka bërë apel opozitës të reflektojë dhe të votojë ligjet e kërkuara nga Bashkimi Europian për integrimin e vendit.Sipas tij politika duhet të lërë mënjanë dallimet politike dhe të punojë për interesat e vendit."Në 100-vjetorin e Pavarësisë ne patëm një shans për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE por kjo nuk u realizuar për shkak të një sfide politike, për shkak të lojës së opozitës në dëm të shqiptarëve. Për interesa partiake Rama dhe Partia Socialiste nuk votuan 3 ligjet e kërkuara nga Bashkimi Europian dhe justifikimi fsheh një kënaqësi për mosmarrjen e statusit dhe për të ndjekur një linjë që është inekzistente. Bashkimi Europian na kërkon të votojmë 3 ligjet që Shqipërisë ti jepet statusi i kandidatit prandaj është momenti që Rama dhe PS-ja të reflektojnë që t`i japim shqiptarëve atë që kanë ëndërruar dhe atë që kanë merituar" tha Mediu.Kreu i PR-së i ka cilësuar si të pavërteta dhe absurde pretendimet e PS-së se zgjedhjet janë kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat."Askush nuk i ka vendosur zgjedhjet si kusht pasi ato janë një kusht për nisjen e negociatave të Shqipërisë për në BE . E drejta e votës nuk është monopol i politikës por një e drejtë për shqiptarë dhe politika duhet ta respektojë atë. PS-ja duhet të distancohet nga individë brenda dhe jashtë saj që nuk e duan Shqipërinë në BE. Me mbështetjen që na japin institucionet europiane dhe mbështetjen që na dha sekretarja amerikane Klinton janë një thirrje për të tejkaluar dhe për të gjetur përgjegjësinë tonë politike dhe në emër të interit tonë kombëtar të lëmë mënjanë dallimet partiake" tha Mediu.Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka theksuar domosdoshmerinë e zgjidhjes së çështjes së pronave, duke thënë se shteti sot e ka vendosur veten në një pozicion absurd për këtë çështje.Mediu ka theksuar se është koha për të thënë të vërtetat, duke u shprehur për një revolucion të së djathtës."E djathta ka nevojë për një revolucion të ri politik me bazë platformash dhe idesh të qarta. Ky copëtim i së djathtës për interesa personale, për përfitime politike është një moment i gabuar që duhet të shihet nga lidershipi politik,nga Partia Demokratike dhe kryeministri Berisha. Kryeministri Berisha, bazuar në përvojën më të mirë të organizojë dhe të bëjë më funskionale të gjithë të djathtën ku secili të marrë atë që i takon, që idetë të kenë vlerë. Filozofia e së djathtës është filozofia për të ecur përpara në këtë shoqëri demokratike” shtoi Mediu.