PDIU: Politika të përfitojë nga censusi

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i ka bërë thirrje aktorëve politikë që të përfitojnë në mënyrë maksimale nga censusi në mënyrë që politik-bërja në të ardhmen të jetë e mbështetur në kërkimin shkencor duke përpunuar me metoda rigoroze evidencat që censusi paraqet mbi realitetin shqiptar.Ndërsa i është referuar sërish censusit, sekretari politik Andri Nurellari deklaroi se debati politik në të ardhmen të jetë me përmbajtje dhe propozime konkrete dhe mos të vazhdojë me përbaltje dhe pretendime që skanë lidhjen me realitetin.Gjithashtu Nurellari theksoi se amendamentet e propozuara nga PDIU-ja arritën të shmangin skenarët e Athinës për nxjerrjen e të dhënave të rreme mbi kombësinë në Shqipëri.“Rezultati i cenzusit nxjerr edhe njëherë në pah se pretendimet greke në Shqipëri nuk kanë asnjë bazë reale por mbështeten thjesht në orekset shoviniste të frymëzuara nga Megali  Idea. Amendamentet e PDIU-së parashikonin që çdo deklaratë për kombësinë duhej të ballafaqohej me regjistrin për gjendjen civile dhe që nëse dikush gënjente për kombësinë e tij, në pyetësor, jo vetëm që ai do të dënohej me gjobën 100 mijë lekë të reja, por INSTAT do të ishte i detyruar që të përfshinte në statistikat zyrtare të dhënat e sakta, pra ato që gjenden në regjistrin kombëtar të gjendjes civile. PDIU gjithashtu falenderon bashkëqytetarët tanë, që iu përgjigjën thirrjes që bëmë për të mos mohuar identitetin kombëtar dhe për t'u deklaruar me krenari ashtu sic jane, si shqiptare te denje” theksoi Nurellari.Ndërkohë sipas të dhënave zyrtare të censusit në Shqipëri ka vetëm vetëm 0.87 % të popullsisë greke ndërsa 83 % e popullsisë është deklaruar si shqiptare.