Spanjë / Çuditërisht Pinto kryesues i votave për “Njeriun e ndeshjes”
Gjatë transmetimit të finales së djeshme të Kupës së Mbretit mes Barcelonës dhe Real Madridit televizioni shtetëror spanjoll "TVE" hapi një sondazh për teleshikuesit për të përzgjedhur “Njeriun e ndeshjes” përmes votimit në rrjetet sociale.Çuditërisht pasi Di Maria shënoi golin e parë të takimit me anë të një rasti të cilin portieri i Barçës, Pinto, mund dhe duhet ta kishte neutralizuar, numri i votave nuk po rritej për të por pikërisht për portierin Pinto.Në një moment ai kishte më shumë se 75% të votave, të cilat me siguri ishin dhënë në formë ironie nga tifozët e Realit të cilët ishin duke festuar avantazhin.Më pas "TVE" vendosi që votat për Pinton t’i cilësonte si jo serioze dhe ndërpreu numërimin për to. Në fund të takimit televizioni shtetëror spanjoll shpalli rezultatet ku fitues me 20% të votave rezultoi autori i sprintit prej 60 metrash që solli edhe supergolin që zgjidhi ndeshjen, Garet Bejl.Pas tij renditeshin Di Maria me 16%, Isco 16%, Bartra 9% dhe Kasijas 6%.