Menaxhimi i mbetjeve,Koka-kryeinspektorëve:Respektoni ligjin, tolerancë zero ndaj shkeljeve
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, zhvilloi sot një takim me kryeinspektorët të qarqeve në të gjithë vendin në kuadër të përfundimit të ristrukturimit të Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave.Në fjalën e tij, ministri Koka u kërkoi të gjithë kryeinspektorëve që të zbatojnë rigorozisht ligjin dhe të mos tolerojnë asnjë shkelje të tij. Ministri kërkoi posacërisht inspektimin e komunave dhe bashkive në lidhje me menaxhimin e mbetjeve.“U kemi vënë drejtuesve vendorë një afat për menaxhimin e mbetjeve. Deri në datën 30 prill duhet të inspektoni se cilat komuna apo bashki janë duke larguar mbetjet. Pas kësaj date do të ketë gjoba sipas përcaktimit në ligj dhe sic e kam përmendur edhe në letrën drejtuar drejtuesve vendorë, në rast të shkeljeve dhe moszbatimit do t’i kërkojmë Këshillit të Ministrave shkarkimin e drejtuesve vendorë. Mos u ndikoni nga ngjyrat partiake sepse ne u shërbejmë vetëm qytetarëve”- tha ministri Koka gjatë fjalës së tij.Ministri Koka kërkoi gjithashtu marrjen e masave për kontrollin e prerjeve ilegale të pyjeve si dhe kontrollin e aktivitetit të gjuetisë në zbatim të Moratoriumit për ndalimin e gjuetisë.Në fushën e ujërave, Ministri i Mjedisit kërkoi evidentimin e situatës së ujërave të ndotura në bregdet dhe masat e menjehershme për përmirësimin e saj, para sezonit turistik. Në vëmendje të kryeinspektorëve u soll edhe kontrolli lidhur me shfrytëzimin e kundraligjshëm të rërave dhe zhavorreve në shtretërit e lumenjve.Ministri Koka dëgjoi gjithashtu problematikën e ngritur nga të gjithë kryeinspektorët, duke i nxitur ata që të punojnë në shërbim të qytetarëve me qëllim garantimin e një vendi më të pastër.Në përfundim të takimit, Ministri i Mjedisit kërkoi nga kryeinspektorët zero tolerancë ndaj informalitetit, etikë profesionale dhe bashkëpunim me të gjitha institucionet me qëllim të vetëm zbatimin e ligjit.