“Ëndrra e keqe", FBI certifikatë mirënjohje 7 punonjësve të policisë

Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit dhe Zyra e FBI-së në SHBA, kanë vlerësuar me certifikata mirënjohje 7 punonjës të Policisë së Shtetit, për kontributin e dhënë në kuadër të operacionit “Ëndrra e keqe”, gjatë të cilit u godit një organizatë kriminale që vepronte në fushën e trafikut të drogës, pastrimit të parave, mashtrimit dhe korrupsionit.Certifikatat e mirënjohjes u dhanë për punonjësit e Policisë së Shtetit: Ervin Hasrama, Orest Afezolli, Elvin Karaj, Ilirjan Avrami, Alban Dautaj, Artemida Koçiraj dhe Besim Bashaj.Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ishin të pranishëm Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë për Krimin e Organizuar e Krimet e Rënda, Z. Sokol Bizhga, Përfaqësuesi i Zyrës së FBI-së Z. Andreë della Rocha, drejtues të strukturave pjesë e të cilave janë punonjësit e policisë të vlerësuar, si dhe përfaqësues nga Zyra e Sigurisë së Ambasadës së SHBA-së.Gjatë ceremonisë së zhvilluar përfaqësuesi i Zyrës së FBI-së Z. Andreë della Rocha, duke shprehur falënderimet në emër të FBI-së për punonjësit e vlerësuar, theksoi se ceremonia e sotme është organizuar për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme që kjo çështje ka pasur dhe punës suaj individuale dhe kolektive, si dhe përshtypjeve të jashtëzakonshme që ju keni dhënë.“Përshtypjet që ju keni dhënë kanë qenë të jashtëzakonshme e prandaj e organizuam këtë ceremoni. Nga ana tjetër ne bashkëpunojmë çdo ditë me njëri-tjetrin, bashkëpunimi është i jashtëzakonshëm, e ne jemi mirënjohës për këtë bashkëpunim të vazhdueshëm. Përfaqësuesi i Zyrës së FBI-së dhe Prokurori i Teksasit ju falënderojnë personalisht të gjithë juve, para drejtuesve dhe kolegëve për punën që ju keni bërë.Në emër të Prokurorit të Përgjithshëm të Teksasit ju përgëzoj për kontributin tuaj dhe angazhimin tuaj në përfundimin me sukses të operacionit “Ëndrra e keqe”.  Operacioni “Ëndrra e keqe” kishte të bënte me një organizatë kriminale të përfshirë në trafik droge, pastrim parash, korrupsion e mashtrim. Organizata përbëhej nga 19 persona, mes tyre dhe një shtetas shqiptar. Në këtë ditë që ne flasim afërsisht 1 milion e 100 mijë dollarë u janë sekuestruar anëtarëve të kësaj organizate kriminale.” – u shpreh Z. Rocha.Në vlerësimin e shprehur Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Teksasit falënderon në mënyrë të veçantë për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm pa të cilin nuk do të ishte e mundur që ky hetim të përfundonte me sukses.Ndërkohë Zyra e FBI-së gjithashtu në vlerësimin e saj shprehet jemi krenarë për punën që ju keni bërë, për bashkëpunimin me zyrën e FBI-së në përpjekjen e përbashkët për luftën ndaj krimit. Krimi i organizuar s’ka më kufij dhe agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të bashkëpunojnë ngushtë me njëra tjetrën, Zyra e FBI-së u është mirënjohës për kontributin Tuaj.Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z. Sokol Bizhga, duke falënderuar për vlerësimin e bërë punonjësve të Policisë së Shtetit, shprehu vlerësimet e tij dhe përgëzimin për çdonjërin prej punonjësve të policisë të vlerësuar me certifikatë mirënjohje, për angazhimin e tyre të vazhdueshëm, për punën që ato realizojnë çdo ditë gjatë përmbushjes së misionit dhe detyrave të organizatës së Policisë së Shtetit.Në emër të punonjësve të vlerësuar me certifikata mirënjohje, Z. Orest Afezolli, falënderoi Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Teksasit e Zyrën e FBI-së për vlerësimin e bërë atyre si punonjës të Policisë së Shtetit. Ne kemi bërë detyrën tonë dhe fakti që procedurat e punës sonë dhe puna që ne bëjmë është pranuar në organet e drejtësisë në SHBA dhe nga Zyra e hetimit të FBI është tregues i vlerave të punës së punonjësve të policisë, u shpreh Z. Afezolli. Po ashtu falënderoi në mënyrë të veçantë të gjithë ata që i ndihmuan e bashkëpunuan gjatë kohës së qëndrimit në SHBA.