Plagosje në Shkodër, qëllohet me armë zjarri 60-vjeçari

Fenomeni i gjakmarrjes për pak i ka marrë jetën një 60-vjeçari në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në vendin e quajtur Ura e Kasnecëve, në fshatin Kir të Komunës Pult të Dukagjinit, dhe i plagosur është shtetasi Nik Deda.Ky i fundit është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Shkodrës dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.Sipas informacioneve, persona identiteti i të cilëve nuk bëhët i ditur për shkak të hetimit, i kanë zënë pritë 60-vjeçarit, duke qëlluar më pas në drejtim të tij. Plumbat e kanë kapur në shpatull, fatmirësisht duke mos i prekur organet jetësore.Forca të shumta policie janë vënë në ndjekje të autorëve, ndërsa janë marrë në pyetje dëshmitarë si dhe është bërë shoqërimi i disa personave. Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe arrestimin e autorëve të plagosjes.Gjatë kësaj jave, në territorin e qarkut të Shkodrës kjo është plagosja e tretë, dy prej të cilave me thikë, ndërsa ka ndodhur edhe një vrasje.