Meta vijon vizitën në Kosovë, takime me krerë të shtetit, politikës dhe pakicat serbe VIDEO

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në vijim të vizitës zyrtare në Kosovë është pritur në një takim nga Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës,  Enver Hoxhaj.Gjatë takimit, Meta, pasi vlerësoi lart arritjet e Kosovë dhe shprehu përkrahjen e gjithanshme të Shqipërisë për Kosovën, premtoi se do të angazhohet dhe do të ketë një koordinim edhe më të madh ndërmjet parlamenteve dhe deputetëve.“Vlerësojmë arritjet dhe përfaqësimin e Kosovës në planin ndërkombëtar. Mbështetja e Shqipërisë në axhendën ndërkombëtare do të jetë e pakursyer. Kosova do të përfshihet në gjithë takimet tona. Diplomacia parlamentare do të punojë për një prezencë më të madhe të Kosovës në nismat rajonale dhe në forumet ndërkombëtare. Shqipëria është pranë jush në rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës”, u shpreh  Meta.Ministri Hoxhaj e njohu Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë me progresin në Kosovë, fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar. Po ashtu, Hoxhaj ka veçuar angazhimin e fuqishëm të qeverisë së Kosovës për përmbushjen e axhendës integruese evropiane, duke theksuar edhe fokusimin e diplomacisë kosovare në axhendën multilaterale.“Dua të shpreh mirënjohjen tonë për rolin e Shqipërisë në rritjen e numrit të njohjeve të Republikës së Kosovës. Vlerësojmë kontributin tuaj në vite për Kosovën dhe rajonin. Kosova mbështetet në peshën e diplomacisë parlamentare të Shqipërisë dhe në influencën që ajo ushtron ndërkombëtarisht”, tha Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës.Gjatë takimit, Meta dhe Hoxhaj diskutuan edhe mbi zhvillimet në rajon dhe për ecurinë e perspektivës evropiane të Kosovës ku Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë u shpreh se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk duhet të vonohet dhe perspektiva e saj evropiane duhet të jetë gjithnjë e më e qartë.“Në këtë drejtim, ne e mbështesim dialogun Kosovë-Serbi për të mirën e të dy vendeve dhe të gjithë rajonit. Të ecim përpara me projekte konkrete ekonomike dhe infrastrukturore të përbashkëta dhe ta kthejmë rajonin në një terren tërheqës për investitorët e huaj. Politikat tona duhet të jenë në funksion të zgjidhjeve konkrete për qytetarët dhe në të mirë të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon”, theksoi Meta.Meta takime me përfaqësuesit e partive kosovare: Bashkëpunim dhe dialogKryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka zhvilluar disa takime me përfaqësuesit më të lartë të partive politike të Kosovës dhe drejtues të pushtetit vendor.Meta u prit në takime nga kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.Gjatë këtyre takimeve, Meta shprehu mbështetjen e Shqipërisë për forcimin e demokracisë dhe institucioneve në Kosovë dhe në këtë kontekst funksionimi demokratik e qytetar i partive politike është vital.Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë theksoi se spektri politik i Kosovës duhet ta forcojë kontributin e tij në funksion të zgjidhjeve pozitive, bashkëjetesës dhe tolerancës dhe të angazhohet në iniciativa që nuk prodhojnë konflikte, por që frymëzojnë bashkëpunim dhe dialog.Meta me pakicat në Kuvend: Integrimi i pakicave, vital për të ardhmenKryeparlamentari Meta u takua edhe me përfaqësues të komunitetit të pakicave në Kuvendin e Kosovës.Pasi foli për rëndësinë e integrimit të komuniteteve në institucionet e Republikës së Kosovës, Meta vlerësoi se integrimi i tyre i shpejtë do të ndikojë në të mirë të gjithë rajonit.Sa i përket dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Meta u shpreh se normalizimi i raporteve në mes të Kosovës e Serbisë, ndikon në të mirë jo vetëm të komuniteteve, por edhe në perspektivën evropiane të tërë rajonit.“Shqipëria e mbështet integrimin e pakicave në Kosovë. Integrimi juaj është vital për të ardhmen e Kosovës. Mbështesim dialogun Kosovë-Serbi dhe vlerësojmë se ky dialog ju ndihmon ju dhe perspektivën evropiane të Kosovës. Ne jemi për dialog dhe bashkëjetesë etnike”, tha Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë.Ndërkaq, duke i uruar Meta mirëseardhjen në Kosovë, zv/kryeministri i Republikës së Kosovës dhe lideri i SLS-së,  Sllobodan Petroviç, si dhe deputetët nga radhët e komuniteteve pakicë, Rada Trajkoviç, Mursel Halili dhe Etem Arifi, e njohën atë me arritjet dhe sfidat e komuniteteve në Kosovë.Ata u shprehën në mbështetje të procesit të negociatave që po zhvillohen në Bruksel mes Kosovës e Serbisë dhe vlerësuan se dialogu do të ndikojë në integrimin e plotë dhe të shpejtë të komuniteteve pakicë, në të gjitha institucionet e Kosovës.“E vlerësojmë bashkëpunimin dhe kujdesin tuaj në vite. U jemi mirënjohës për ndihmën tuaj ndaj komunitetit serb në Kosovë. Roli i Shqipërisë në forcimin e bashkëjetesës është i rëndësishëm”, tha Petroviç. Në fund, Meta ka ftuar përfaqësuesit e pakicave të Kosovës që të vizitojnë Kuvendin e Shqipërisë.Kryetari i Kuvendit,  Ilir Meta ka pasur edhe një bisedë të shkurtër rastësore me Drejtorin e Zyrës për Çështjet e Evropës Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve, Jonathan Moore, i cili ndodhej gjithashtu për një vizitë në Kosovë.Meta viziton Kullën e Jasharëve në Prekaz: Lufta e UÇK-së për liri, e drejtëNë kuadër të vizitës në Kosovë, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka bërë homazhe në kompleksin e varrezave në Prekaz, dhe është ndalur në Kullën e Jasharëve, ku u prit nga përfaqësues të familjes së njohur për kontributin në luftën për çlirimin e Kosovës.Pasi vendosi një buqetë me lule në varrin e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, Meta e ka cilësuar një detyrim të secilit që të vijë ta vizitojë këtë vend, pasi lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përgjithësi dhe qëndresa e rezistenca e Jasharajve në veçanti, sollën lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.“Është një detyrim për të ardhur këtu gjithmonë sa herë vijmë në Kosovë për vizita në emër të institucioneve të Shqipërisë për t’u përkulur me mirënjohje të thellë përpara komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Ky monument i përjetshëm i qëndresës i heroizmit i sakrificës më sublime të tij dhe të gjithë familjes Jashari, në emër të një Kosove të lirë dhe demokratike të një Kosove evropiane si ajo që është sot dhe si ajo që do të jetë akoma më mirë nesër”, tha Meta.“Sot me këtë rast duke falënderuar edhe mikun tim Murat Jashari dhe gjithë familjen e Jasharëve për gjithçka kanë bërë për çështjen kombëtare, jo vetëm për çështjen e Kosovës, dua njëkohësisht të shpreh edhe një herë tjetër vlerësimin më të lart për luftën e popullit të Kosovës, për luftën e UÇK-së, e cila ishte një luftë e imponuar, ishte një luftë e drejtë, ishte një luftë e cila jo vetëm i dha Kosovës lirinë, i dha Kosovës pavarësinë, por njëkohësisht hapi një perspektivë të shkëlqyer evropiane për të, por edhe për rajonin tonë.I përjetshëm kujtimi i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, i të gjithë heronjve dhe martirëve të kësaj familje dhe të gjithë Kosovës”, theksoi Kryetari i Kuvendit në një prononcim pas homazheve në Prekaz.