Afganistan, shqetësim për manipulime në zgjedhje
Miliona afganë do të dalin nesër në votime, në zgjedhjet presidenciale, pavarësisht nga kërcënimet e Talibanit. Shqetësimi më i madh është se zgjedhjet do të manipulohen dhe se kandidatët që humbasin nuk do ta njohin rezultatin.Të shtunën votuesit do të zgjedhin presidentin e ardhshëm të Afganistanit. Tre kandidatët kryesorë janë Ashraf Ghani, ish-zyrtar i Bankës Botërore; Abdullah Abdullah, ish-ministër i jashtëm dhe Zalmai Rasul, po ashtu ish-ministër.Zyrtarët e zgjedhjeve shpresojnë se rreth 12 milionë votues do të dalin për të hedhur votat, megjithë kërcënimet e Talibanit.Rreth 10 mijë vëzhgues lokalë do të mbikqyrin votimet e së shtunës. Rezultati përfundimtar pritet të dalë më 14 maj. Por kandidatët dhe përkrahësit e tyre kanë filluar që tani të thonë se nuk do t'i njohin rezultatet nëse ka dyshime për manipulim.Këto zgjedhje konsiderohen si jetike për stabilitetin dhe të ardhmen politike e ekonomike të Afganistanit. Të vetëdijshëm për rëndësinë e procesit, zyrtarët e zgjedhjeve kanë mbyllur rreth 750 qendra votimi si rezultat i shqetësimeve për sigurinë. Rreth 300 mijë policë e ushtarë janë dislokuar për të parandaluar dhunën.