Kryeministri Rama vizitë në Gjermani, takohet me kancelaren Merkel

Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në Berlin të Gjermanisë për një vizitë zyrtare nis sot axhendën e takimeve.Takimi më i rëndësishëm për Kryeministrin Rama në këtë vizitë është ai me Kancelaren Merkel, e cila i rezervon Kryeministrit të Shqipërisë një pritje të nivelit më të lartë protokollar.Sot, në orën 12.00, Kryeministri Rama do të pritet në Kancelarinë gjermane nga Kancelarja Merkel, ku do të ketë dhe një ceremoni të nderimit ushtarak. Më pas do të zhvillohet takimi dypalësh mes zotit Rama dhe zonjës Merkel, që do të pasohet nga një drekë pune mes dy delegacioneve. Në vijim, rreth orës 13:15, parashikohet konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit shqiptar dhe Kancelares gjermane.Gjatë qëndrimit në Berlin, Kryeministri Rama do të zhvillojë edhe disa takime të tjera të rëndësishme. Në orën 11:00 Rama do të takohet me kryetarin e Bundestag-ut, ndërsa më parë do të zhvillojë një takim dhe me kreun e Grupit Parlamentar të Djathtë, CDU.Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim të posaçëm edhe me Zv/Kancelarin, njëherazi Ministër për Çështjet e Ekonomisë dhe Energjisë, zotin Sigmar Gabriel, i cili drejton edhe Socialdemokratët gjermanë.Në mbrëmje, Kryeministri Rama do të mbajë një fjalim përpara Komisionit të Jashtëm gjerman.