Kreu i Kuvendit vizitë në Danimarkë, takim me Mbretëreshën
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta i shoqëruar edhe nga deputetët Gramoz Ruci, Olta Xhaçka, Shpëtim Idrizi, Agron Duka dhe Musa Ulqini ndodhet për një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Danimarkës.Kryetari i Kuvendit Meta u prit ditën e djeshme në Aeroportin e Kopenhagenit nga homologu i tij danez Mogens Lykketoft. Dy homologët shprehën kënaqësinë e realizimit të kësaj vizite dhe shprehen bindjen se kjo do ti shërbejë konkretizimit dhe forcimit të marrëdhënieve ndër parlamentare mes dy vendeve.
Gjatë ditës së sotme Meta do të pritet në Parlament nga homologu i tij dhe Presidiumi, nga Ministri i Ushqimit, Bujqësisë dhe Peshkimit, nga Konfederata Daneze e Industrisë, nga Agjencia Daneze për Energjinë, nga Asambleja Parlamentare e OSBE me seli në Kopenhagen si dhe nga Avokati i Popullit te Danimarkës.Kryetari i Kuvendit Meta do të pritet edhe nga Madhëria e Saj Mbretëresha e Danimarkës dhe do të mbajë një fjalë të veçante mbi rolin stabilizues të Shqipërisë në rajon në një Konferencë organizuar nga Shoqata Daneze për Politikën e Jashtme.