Emërimet; a po kthehet administrata në një Reservoir Dogs*?

Ka javë e ditë që opozita i bie një këmbane alarmi e cila, megjithatë, ende nuk është kthyer në ligjërim publik: do të thotë nuk është bërë lejtmotiv i emisioneve qendrore politike në vend dhe as është trajtuar në editorialet e opinionet e shtypit të shkruar. Është lënë jashtë, ka gjasa, për dy arsye: nuk është parë si temë e nxehtë, temë e madhe, temë e ditës, temë e fortë politike; ose, nuk ka hyrë në radarët e opinionbërësve për atë se komentariati në Shqipëri ka rënë në klishenë e ‘emrave dhe akteve të mëdha’.Opozita ka qenë gjithsesi këmbëngulëse në deklaratat e saj për shtyp, dhe e pakursyer, ka dhënë alarmin për të paktën 6 raste emërimesh në administratë të personave me precedentë penalë. Po kaq këmbëngulëse ka qenë media në kalimin tangent të tyre. Gazetat u kanë lënë një copëvend të lajmit ‘shkurt’, aty ku zakonisht rrasen lajmet mbushëse, ndërsa televizionet i kanë rrethuar me termin gati përbuzës ‘denoncimet e opozitës’.Pse janë, megjithatë, të rëndësishme këto ‘denoncime’ dhe përse ato duhen futur në diskurin qendror publik?E para, se bëhet fjalë për poste të administratës publike, që do të thotë me guvernatorë të drejtpërdrejtë të përditshmërisë së shqiptarëve, si unë, ti e të gjithë ne bashkë. Siç është rasti, për shembull, i një përgjegjësi sektori të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në një prej qyteteve të Jugut. Kundravajtja e personit në fjalë ishte pikërisht ‘prodhimi dhe shitja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin’. Emërimi i tij ishte loja cinike e llojit: të vësh ujkun për të ruajtur delet.Arsyeja e dytë ka të bëjë me filtrin ose sitën e institucioneve të shtetit në përgjithësi apo atyre që direkt i marrin në punë individë të tillë. Çështja është, a ekziston një filtër dhe, çfarë ka ndodhur ka patur të bëjë me shkujdesje, që është keq, apo çka është shumë keq, ka patur ngritje të qëllimshme të traut duke mbyllur jo një, por të dy sytë?Fakti që nuk kemi të bëjmë me një apo dy raste, por me një grusht të tillash, e çon lavjerrësin e dyshimit te qëllimshmëria, tek implikimi, te rregulli e jo te sporadikja. Zyrat e punës, drejtoria e burgjeve, autoriteti portual, autoriteti i ushqimit etj., si profile punësh hyjnë tek ajo kategori që në zhargonin urban cilësohen ‘vende pëllumbash’. Pra, vakanca që u lihen të përzgjedhurve, jo rastësorëve, miqve e dashamirëve, jo të panjohurve. Shkurt, janë pjesë e modeleve partiake shqiptare të shpërblimit të militantëve.Kjo logjikë hap shtegun e një dyshimi të ri dhe ndoshta të një përfundimi, bazuar mbi të dhëna empirike ose jo, ajri i të cilit është megjithatë një dijeni e përgjithshme në Shqipëri. Nuk është ndonjë gjetje e llojit ‘Eureka’, sesa një plagë e vjetër e të gjitha fazave të tranzicionit dhe të raportit të partive politike me militantët e tyre: shpërblimi me poste të administratës publike pas ardhjes në pushtet.Mbi këtë gjë të ditur ngre krye plejada e rasteve të fundit të punësimeve në administratë të personazheve kundravajtës të ligjit. Për një arsye të thjeshtë: lloji i njerëzve të shpërblyer politikisht vë në diskutim stofin e mbështetësve të mazhorancës aktuale gjatë zgjedhjeve të shkuara. Opozitave edhe mund t’u lejohet pakujdesia që, për të ardhur në pushtet, të thurin aleanca okulte me personazhe të themi, joqibarë. Kjo nuk është një leje si e tillë, por një shkujdesje në ngutin dhe ethen e fushatës elektorale, por edhe të mungesës së filtrave. Por, kur opozita bëhet qeveri dhe të gjithë këta filtra i ka, i anashkalon ose nuk i përdor si duhet, jemi në prag të një keqdashjeje ndaj publikut dhe institucioneve të shtetit.Jemi para një rreziku. Para të cilit të paktën duhet ngritur zërin. Në sa më shumë rrathë në mënyrë që jehona të bëhet thirrje civike. Sepse, duket sikur administrata po kthehet në një Reservoir Dogs?*Reservoir Dogs është një film i Quentin Tarantinos, i cili trajton fazën post-grabitje dhe jo grabitjen vetë të 8 gangsterëve amerikanë./Burimi: mapo.al/