Duhet të takohen apo nuk duhet të takohen, kjo është çështja
Ne vijmë nga një diktaturë nga më të egrat dhe sot shoqëria jonë vuan ende elementë shumë negativë, si urrejtja, fryma jobashkëpunuese, trajtimi i kundërshtarit si armik, mungesë dialogu, arrogancë etj.
Në një mënyrë apo në një tjetër, të gjithë jemi viktima të kësaj trashëgimie, e cila pasqyrohet qartë në shoqërinë tonë, por mbi të gjitha këta elementë regresivë janë instaluar dhe kanë gjetur hapësira të bollshme në politikë, duke u bërë bazamenti i fortë i saj. Politika në këto dy dekada ka ecur dhe e ka mbështetur veprimtarinë e saj në këto antivlera, duke prodhuar ngjarje e situata nga më të rëndat, të cilat nuk po i listoj sepse njihen mirë nga opinioni publik.
Këto ditë Kryeministri Rama i bëri një ftesë publike Liderit të opozitës Basha, për t’u takuar. Në gamën e gjerë të problemeve, që kanë shkaktuar mosmarrëveshje të forta me opozitën, lëvizja e Ramës duhet përshëndetur si veprim i përgjegjshëm europian, që vjen në kohën e duhur. Po ashtu, befasuese e përgjegjshme dhe europiane ishte përgjigja e liderit të opozitës Basha, i cili na surprizoi jo pak, me PO-në e tij.
Në komentet e ndryshme që janë bërë rreth këtij takimi të bie në sy pretendimi se nuk ka probleme të mëdha që të përligjin takimin e këtij niveli. Ose mund të jetë thjesht një takim sinjaldhënës për Brukselin, ftesa mund të ishte një lëvizje e Ramës, duke shpresuar te refuzimi i Bashës, për të thënë ‘ja, unë e ftova, por ai nuk bashkëpunon’, etj., etj.
Sigurisht hamendësimet apo dyshimet qëndrojnë, sepse klasa jonë politike ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë konflikte, duke zbehur çdo shpresë për një normalitet konstant.
Megjithatë, unë dua ta shikoj çështjen nga një tjetër këndvështrim nisur jo nga optimizmi, por nga mundësia që ekziston, dhe koha në të cilën jetojmë. Ndaj besoj se ky takim është një shans i madh për të dy liderët, të cilët mund të shënojnë kthesën e shumëpritur, jo si pragmatizëm apo veprim afatshkurtër, por si kulturë permanente për të vendosur rregulla loje, që do të çelnin epokën e bashkëjetesës civile, brenda normave të një shoqërie demokratike.
Prandaj Rama-Basha duhet të takohen. Ku ka dialog, ka zgjidhje.
Nga çdo pikëpamje kjo ngjarje do të rrezatojë pozitivitet. Ky takim brenda vendit do të ketë një impakt tejet pozitiv që kultivon kulturën e bashkëpunimit dhe të dialogut duke ndikuar ndjeshëm në krijimin e një klime të shëndetshme. Ne jemi në pritje të vendimit që do të merret në qershor lidhur me statusin, dhe takimi Rama- Basha vjen në momentin më të përshtatshëm për t’i dhënë Brukselit një sinjal të fortë e të qartë, në përmbushjen e kritereve ku spikat bashkëpunimi.
Kemi mbi njëzet vite në demokraci, dhe takimet e krerëve të mazhorancës dhe opozitës duken si ngjarje surealiste, duke dëshmuar nivel kulturor dhe njerëzor shumë të ulët, pothuajse primitivizëm.
Të dy liderët i përkasin gjeneratës së re në politikën shqiptare, ndaj dhe veprimi i tyre (ftesa, pranimi saj) është jashtë çdo kompleksi, ai ngrihet mbi realitetin rixhid dhe injoron edhe radikalët apo skeptikët brenda partive respektive, dhe jashtë tyre. (kështu duket nga jashtë).
Bota e qytetëruar i ka tejkaluar këto etapa të zhvillimit, natyrisht, me vështirësi, vullnet dhe një vizion të qartë.
Përpara se të jemi politikanë, ne jemi njerëz dhe duhet të jemi pranë njerëzve për t’ua bërë jetën më të mirë, shkruan ish-kryeministri italian, Massimo D’alema në librin e tij “La grande Occasione”, ku rrëfen takimet me kundërshtarin e tij të madh, Berlusconi, për çështje madhore që kishin të bënin me të ardhmen e Italisë.
Kancelarja Merkel ka dy mandate që udhëheq Gjermaninë dhe Europën duke bërë koalicion me kundërshtarët e saj socialdemokratë. Zonja Merkel dhe demokracitë e konsoliduara e kanë kthyer në realitet frazën biblike se një ditë ujku dhe qengji do të rrinë në një vathë.
Nëse duam të shkojmë në botën e qytetëruar, u takon liderëve të politikës të veprojnë me aksione konkrete. Ne vërtet jemi një provincë, por kjo s’do të thotë të vazhdojmë të sillemi dhe të udhëhiqemi nga mendësi provinciale.
Të takohen dy njerëz, është normalitet, të takohen dy liderë që kanë përgjegjësi për fatet e vendit, është detyrim.
/Burimi: mapo.al/