PD denoncon tjetër emërim: Kryeinxhinieri i CEZ Durrës i dënuar për abuzime
Partia Demokratike denoncoi sot emërimin si kryeinxhinier të CEZ në Durrës, të Plator Mehmetit, i dënuar në vitin 2008 për shpërdorim detyre. Zëdhënësja e selisë blu, Laura Vorpsi, duke iu referuar të dhënave të auditit të kohës, tha se Mehmeti i shkaktoi shtetit 3 milionë euro dëme.
Deklarata e plotë:Ndërsa energjia elektrike po bëhet më e shtrenjtë për qytetarët, dhe pritet më tej rritja e çmimit, teksa faturat aforfe janë shtuar, kur ndërprerjet e energjisë janë bërë të modës, në krye të CEZ-it në Durrës, rilindasit kanë vendosur një të dënuar për korrupsion, i cili ka bërë të paktën 9 muaj burg në vitet 2008-2009, për shpërdorim detyre.Plator Mehmeti i arrestuar në vitin 2008 dhe i dënuar më pas nga gjykata e Durrësit për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera, është rikthyer në ndërmarrjen e tij, si kryeinxhinier. Ai është dënuar nga drejtësia, pikërisht për abuzimet që ka kryer si ish-kryeinxhinier i KESH-it në vitet 2003-2006.Gazetat e 12 marsit të 2008 flasin të gjitha për aksionin e koduar “voltazh”, pas skandalit financiar të zbuluar në KESH-in e Durrësit, ku u arrestua Plator Mehmeti.Sipas raportit të auditit të asaj kohe, Mehmeti në bashkëpunim me drejtues të tjerë të KESH-it në Durrës, kanë shkaktuar një dëm prej 3 milionë eurosh.Sot, KESH-i i Durrësit quhet CEZ-i i Durrësit, por kryeinxhinier është sërish i njëjti, i dënuari për korrupsion, tashmë i rilindur.