Nis trajnimi i administratës doganore, Rama: Do zhdukim anafalbetizmin fiskal

Administrata doganore dhe ajo tatimore do të përfshihen në kurse të përjavshme. Ky proçes trajnimi që startoi sot është një nismë e ndërmarrë nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me ekspertë të “Crown Agents”. Kryeministri, Edi Rama, në fjalën e tij e vlerësoi proçesin si një kurs kundër analfabetizmit fiskal, që sipas tij ka dëmtuar jo pak ekonominë dhe përpjekjen e përbashkët për mirëqenie sociale.“Kjo është dita e shënuar e fillimit të këtij rrugëtimi, një kurs ndaj analfabetizmit fiskal që ka dëmtuar ekonominë dhe përpjekjen tonë të përbashkët për mirëqenie sociale. Askush nga investitorët nuk vendosi taksat por thuajse unanimisht problem kryesor ishte administrata, pastaj gjyqësori, siguria e titujve të pronësisë dhe më pas kualifikimi i krahut të punës dhe në fund niveli i taksave. Ne besojmë që kapitali njerëzor është pjesa më e painvestuar në Shqipërinë e këtyre viteve në funksion të rritjes, forcimit dhe konsolidimit të një administrate në shërbim të ligjit e sipërmarrjes. Shqipëria si shoqëri do të hynte në vendet që, falë dëshirës për dije të prindërve, investon në përqindje me të ardhurat e përvitshme shumën më të madhe për arsimin, ndërkohë që shteti shqiptar do renditej i fundit për ta kthyer investimin tek kapitali njerëzor. Sikur ti kishim dedikuar kapitalit njerëzor po atë pasion që kishim për asfaltin në këto vite, do kishim shtruar dyfishin e rrugës sonë në BE. Sikur ti kishim dedikuar trurit të funksionimit të institucioneve tona po atë vëmendje që i kemi kushtuar xhepit të sipërmarrësve do kishim pasur shumë më tepër të ardhura nga sipërmarrja”, tha Rama.I pranishëm në aktivitet, Ministri i Financave, Shkëlqim Cani theksoi se qeveria është e pozicionuar mirë në programin e saj për një qasje të re ndaj biznesit, me etikë e profesionalizëm.“Këto objektiva nuk arrihen me njerëz mediokër, të paaftë të pa mësuar dhe të korruptuar. Akademia ose qendra e trajnimit fiskal sot fillon ciklin e trajnimeve për të gjithë inspektorët tatimore e doganorë, me qellim edukimin etik dhe profesional, rritjen e aftësisë për t’ju përgjigjur procesit të gjerë të integrimit në BE. Edhe biznesi do jetë pjesë trajnimeve mbi bazën e dëshirës dhe vullnetit të mirë”- u shpreh Cani.Ndërsa Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha deklaroi se ky proces është një hap përpara në drejtim të përmirësimit të administratës publike, përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe një hap përpara në drejtim të integrimit evropian të vendit.“Ne po hyjmë në një proces të rëndësishëm mbi ngritjen e kapaciteteve të dy institucioneve tona. Vetëm një administratë publike cilësore mund të ndihmojë në hartimin e politikave optimale”- u shpreh Gjosha.Proçesi i trajnimit të administratës tatimore e doganore do të zgjasë përafërsisht 3 muaj.