Aparaturë e re te onkologjiku për mjekimin e saktë të sëmurëve tumoralë
Nga sot në Shërbimin e Onkologjisë në QSUT “Nënë Tereza” përzierja e barnave do të bëhet me anë të kapave, pajisja mjekësore që shërbejnë për përpunimin dhe përzierjen e barnave (zakonisht, atyre citostatikë), me qëllim krijimin e paketave të gatshme të kemioterapisë që shërbejnë për mjekimin e saktë dhe pa shpërdorim të të sëmurëve tumoralë.Ky është një projekt që realizohet për herë të parë në QSUT. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, tha se instalimi i kësaj pajisje është një siguri më shumë për pacientët që të marrin në sasinë e duhur dozën e mjekimit, por nga ana tjetër një mundësi për një mirëmenaxhim më të mirë të barnave. I njëjti projekt, shtoi Beqja, do të shtrihet edhe në shërbimet e hematologjisë dhe pediatrisë.“Ne kemi deklaruar se dy janë grupet e sëmundjeve që do duhet të meremi në mënyrë themelore, sëmundjet tumorale dhe kardiovaskulare. Në fakt kemi bërë hapa konkrete në këto 6 muaj, qoftë me rritjen e fondeve në dispozicion të blerjes së barnave për shërbimin onkologjik, madje me përfshirjen e disa barnave edhe në listën e rimbursimit. Megjithatë në analizën e punës konstatuam se teknikat që përdornim për të hartuar dozat e mjekimeve ishin teknika që kishin shumë hapësirë për mospërdorim efiçent të barnave. Sic e dini ne montuam sot një instrument që quhet kapë, që arrin të bëjë përzierjen e duhur të çdo doze mjekimi, duke pasur në radhë të parë siguri për dozën që përcaktojmë, duke pasur mundësi që shfrytëzimi i barnave të jetë maksimal, por duke u ofruar dhe profesionistëve të mjekësisë që punojnë aty më shumë siguri në kushtet e tyre të punës. Një gjë të ngjashme jemi duke e bërë bashkë me Drejtorinë dhe në dy shërbime të tjera në QSUT që lidhen me sëmundjet tumorale, tek hematologjia dhe pediatria. Me të tre këto investime besoj se efiçenca e shfrytëzimit të barnave disponibël është e rendit të paktën 1 mln dollarë” tha ai.Por ndërsa pajisja për përzierjen e barnave u instalua, QSUT jo pak herë është vendosur në qëndër të vëmendjes për mungesë të barnave. Lidhur me këtë situatë, Beqja tha se çdo gjë po shkon sipas proçedurave, duke u shprehur optimist se me heqjen e TVSH-së pas 1 prillit importimi apo furnizimi me ilaçe do të jetë më i lehtë.“Ky spital ka vijuar të pajiset me barna në radhë të parë në 10 dhjetor, pastaj Drejtoria ka bërë në muajt e parë të vitit shtesat e kontratave, tenderat vjetorë janë hapur dhe me datë 7 fillon dorëzimi i tyre, ndërsa Drejtoria boshllëkun e këtyre dy muajve po e plotëson me proçedurat e negociimit. Me datën 1 prill proçedurat bëhen më të lehta se hiqet TVSH e barnave dhe proçedurat qoftë të importimit, qoftë të furnizimit janë më të lehta” deklaroi Ministri.