Sulmi me antitank ndaj kryekomunarit, krimet e rënda marrin dosjen e Fatbardh Plakut
Gjuajtja me antitank e shtëpisë së kryetarit të Komunës Farkë, Fatbardh Plaku, do të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë të saj,duke ia deleguar çështjen homologes së saj të krimeve të rënda.Pista kryesore ku janë të fokusuar hetuesit është ajo e konflikteve të pronësisë dhe ajo për shkak të funksionit publik të Plakut. Farka ka qënë gjithmonë një pikë e nxehtë sa i përket problemeve të pronësisë, duke qënë zonë me potenciale të mëdha zhvillimi.Prokurorët e Krimeve të Rënda pritet të marrin në pyetje në ditët në vijim, Fatbardh Plakun, për dyshimet dhe konfliktet e tij të mundshme. Ndërsa në pyetje pritet të merren edhe 7 personat e shoqëruar nga policia e Tiranës, pasi dyshohet që mund të kenë dijeni për atentatin.Orët e para të ditës së martë, shtëpia e Kryekomunarit u qëllua me antitank, por për fatin e mirë të familjes Plaku ajo nuk ka shpërthyer, pasi baruti i predhës ka qënë i skaduar.Fillimisht policia e Tiranës raportoi se një sasi e vogël lëndë plasëse kishte shpërthyer në murin rrethues të vilës. Por kanë qenë kamerat e sigurisë së shtëpisë ato që kanë fiksuar momentin kur nga ana tjetër e rrugës është qëlluar me antitank.