Rama i refuzon Bashës veton në Kuvend: Ja pse i kërkova takim kreut të PD

10 minutëshi pushim i dhënë nga drejtuesi i Kuvendit, Ilir Meta, nuk ka sjell asnjë rezultat për kthimin e diskutimeve drejt rendit të ditës. Menjëherë pas rinisjes së punimeve të séances, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, iu drejtua foltores, duke akuzuar Ramën për sulme ndaj opozitës.“Kërkova fjalën që kur mbaroi Rama, për shkak se kryeministri dhe në fjalën që mori për ndjesë tregoi edhe njëherë se e ka të vështirë dhe të pamundur të ndryshojë. Fjalitë prekëse për etikën i hodhi poshtë brenda 30 sekondave, nuk di të bëjë ndryshe, të gjithë e dinë se sa e ka diapazonin e etikës kryeministri. Nuk do i përmend shprehjet që i thoshte grave në bashki, ato që thotë prapë në kryeministri dhe sa herë mblidhet Kuvendi.Rama ka zakonin që flet nga mbrapa. Është vetëm hera e parë që ja nxorën kamerat, ai e përsërit sa herë flet opozita. Komplekset e kryeministrit nuk janë për tu shfaqur, viagra apo jo viagra nuk janë për t’i dëgjuar shqiptarët, nëse i ka ti mbajë për vete. Të dalë e të thotë që është i prekur nga mungesa e etikës dhe brenda së njëjtës fjali të shajë opozitën kjo nuk besoj se ka nevojë për komente të shumta”tha Paloka.Kreu kuvendor i demokratëve komentoi dhe ftesën e Kryeministrit Rama ndaj liderit të opozitës Basha për diskutim mbi reformën territoriale. Sipas tij çdo diskutim e humbet vlerën për sa kohë kjo qeveri nuk zbaton ligjet. Ndërkaq Paloka paralajëmroi largimin e opozitës nga Kuvendi deri kur të kthehet kushtetueshmëra e tij.“Ne si opozitë kemi një qëndrim të qartë, ua kemi bërë të qartë, e dini shumë mirë se ky parlament përveç batutave të kryeministrit nuk po bën asnjë gjë tjetër. Nuk mund të pranojmë që ju të vazhdoni të shkelni ligjin, të shkelni Kushtetutën. Tërhiquni nga të gjitha shkeljet, nga çdo hap i pamatur, nga sulmet e presidentit,nga misioni antikushtetues, pastaj hajde t’i kthejmë kushtetutshmërinë këtij Kuvendi. Kthehuni në rrugën e Kushtetutshmërisë, do jemi bashkë me shqiptarët, që të na jepni ato që na takojnë me ligj dhe me të drejtën e zotit. Do largohemi nga Kuvendi, që ju të bindeni dhe të tregoni vullnet, që të jeni të përgjegjshëm. Qeveria duhet të punojë për popullin”, tha ai.Pas kësaj deputetët e opozitës lanë sallën e Kuvendit, ndërsa foltores iu drejtua Kryeministri i cili qartësoi opinionin mbi arsyet se pse e ka ftuar kreun e PD, Basha për të diskutuar mbi reformën territoriale.Shefi i qeverisë theksoi se opozita kërkon të kushtëzojë parlamentin, për ti dhënë të drejtë vetes të bllokojë reformën. Ndërsa shprehu gatishmërinë e mazhorancës për të dialoguar me opozitën për të gjitha çështjet që e shqetësojnë.“Meriton një shpjegim pyetje se pse unë e ftova kryetarin e PD-së për tu ulur dhe për të diskutuar. Shpjegimin e kam dhënë në letër, por vlen të shtjellohet edhe pas reagimeve të marra ndaj ftesës. Përgjigjja e opozitës është kushtëzuese. Pas përgjigjes së marrë kam ngarkuar deputetin Taulant Balla si drejtues i pjesës sonë në grupin e deputetëve që na përfaqëson në PE që të komunikojë me palën tjetër dhe të bëjë prezent faktin që ne vërtet jemi shumë të interesuar të ulemi për reformën administrative-territoriale, por nuk e kushtëzojmë dialogun vetëm me këtë çështje. Opozita kërkon të kushtëzojë parlamentin, jo thjesht komisionin, që do të thotë se kërkon ti japë vetes të drejtën që ta bllokojë komisionin dhe të mos lejojë reformën të bëhet. Nuk kemi mundësi ta shtyjmë këtë reformë. I kemi votat, kemi mbështetje, puna ka filluar në të gjithë territorin e vendit në nivelin teknik për të mbështetur komisionin. Nuk kemi mundësi që të presim, por duam ti bëjmë të gjitha që të ulemi së bashku”- vijoi Kryeministri.Shefi i qeverisë theksoi rëndësinë që reforma të përfundojë brenda këtij sesioni parlamentar, dhe ajo nuk ka asnjë impakt në Kodin Zgjedhor.“Nuk kemi asnjë prirje dhe qëllim të prekim qarqet të cilat lidhen me Kodin zgjedhor. Reforma ka impakt të madh ekonomik dhe social. Jemi gati të diskutojmë çfarëdo qoftë, por nuk mund të thonë që duan statusin kandidat dh ndërkohë bëjnë çmos për të treguar që Shqipëria nuk e meriton statusin. Janë të mbyllur në një rreth vicioz”- tha Rama.Rama ka hedhur poshtë akuzat e opozitës sa i takon një aludimi për fshehjen e termave të marrëveshjes me Fondin Monetar.