Rama: Në 2 muaj, 1090 persona të punësuar përmes zyrave të punës
Në një hark kohor prej dy muajsh, dita kur u inagurua dhe zyra e parë e punës në Tiranë e që u pasua me “simotra” në qarqe të tjera të vendit, 1090 persona kanë sot një punë. Shifra bëhet e ditur nga kryeministri, Edi Rama, në përpjekje për të bindur të gjithë skeptikët se ky projekt nuk është vetëm fasadë. Në faqen e tij zyrtare në fb, Rama ka publikuar edhe një album me njerëz të zakonshëm moshash e kategorish të ndryshme, të cilët janë vetëm disa nga shumë të punësuarit së fundmi përmes zyrave të reja të punes.“E postojmë këtë album me njerëz të zakonshëm moshash e kategorish të ndryshme, të cilët janë vetëm disa nga shumë të punësuarit së fundmi përmes zyrave të reja të punes. "S'duam zyra duam punë!", shkruante dikush në komentet e një postimi për çeljen e zyrës moderne të punës në Elbasan. Dhe s'ishte i vetmi që shprehte mosbesim se në zyrat e punës mund të gjendet punë. Por shifrat e faktet flasin ndryshe dhe me rritjen dita - ditës të këtij shërbimi të ri modern të punësimit do të rriten edhe mundësitë për punë, edhe numri i të punësuarve përmes zyrave të punës. Për më shumë hidhini një sy shifrave.Nga dita e inagurimit gjer sot, punësime direkte nga zyrat e reja moderne të punës, me emër e mbiemër, janë realizuar: Në Tiranë 528. Durrës 299. Vlorë 180. Kavajë 83. Totali 1090. Mbani parasysh që zyra e Tiranës ka vetëm dy muaj, e Durrësit vetëm 1 muaj, e Vlorës dhe Kavajës vetëm pak javë. Ndërkohë janë aktualisht të publikuara nga punëdhënësit privatë 3969 vende të lira pune. Në Tiranë 2289. Në Durrës 1052. Në Vlorë 457. Në Kavajë 171” shkruan ai.Sipas Ramës, mosbesimi reciprok i krijuar në vite ndaj Shërbimit të vjetër Kombëtar të Punësimit, qoftë nga punëdhënësit qoftë nga punëkërkuesit është i jashtëzakonshëm.“Në klimën e këtij mosbesimi në të cilën Shërbimi Kombëtar i Punësimit sapo ka rilindur, këto shifra e fakte janë një fillim shumë i mbarë. Dora - dorës besimi do të rritet dhe punësimi padyshim po ashtu, sepse zyrat e reja të punës janë më në fund pas njëzet vjetesh, një nga instrumentat e rritjes së punësimit” përfundon ai.