Me varkë plazhi drejt Korfuzit, kapen në Mezo-Kanal të rinjtë
3 të rinj janë kapur nga policia kufitare e Sarandës në tentativë për të kaluar ilegalisht kufirin detar për në Korfuz. Mjeti që ata po përdornin për qëllimin e tyre, nuk ishte as më shumë e as më pak se një varkë e vogël plazhi që fryhet me ajër.Ngjarja është shënuar dy ditë më parë, rreth orës 03.50, kur skafi i policisë kufitare Sarandë që patrullonte në Ksamil, ka vërejtur një objekt të dyshimtë në largësinë 1.1 milje nga bregu. Patrulla është nisur menjëherë në drejtim të tij, duke e arritur për vetëm pak sekonda në vendin e quajtur “Mezo – Kanal”.Policët kufitarë janë habitur kur kanë gjetur 3 shtetas që lundronin me një varkë të vogël tip “fuskoto” që nuk i kalonte të dy metrat. Sipas policisë, mjeti lëvizej nga njëri prej personave, duke përdorur dy lopata plastike ndërkohë që të tjerët ndihmonin me duar.Të tre të dyshuarit janë hypur në skafin e policisë kufitare dhe bashkë me të edhe varka plastike. Në komisariatin e policisë, tre shtetasit janë identifikuar si Ervin Vataj, Kliton Selaj dhe Fatjon Deliaj, të moshës 20-25 vjeç, banues në Ksamil, Sarandë e Durrës e të dënuar më parë për vjedhje.Ata kanë treguar para grupit hetimor se kishin tentuar të kalonin në mënyrë të rregullt kufirin por ishin kthyer mbrapsht nga pala greke e për këtë kishin vendosur të kalonin kufirin detar për në Korfuz, me gjithë riskun që mbart kanali detar, e pikërisht rrymat e forta të “Mezo-Kanalit”.Duke mos pasur asnjë provë tjetër kundër tre të rinjve, policia vendosi ti procedojë ata penalisht në gjendje të lirë për “kalim të paligjshëm të kufirit, mbetur në tentativë”. Megjithatë, burime policore thanë se nuk përjashtohet mundësia që 3 te rinjtë të tentonin të trafikonin sasi të vogël droge drejt ishullit grek, e ta kenë fundosur sapo kanë parë policinë, por për këtë nuk ka prova.Në 19 shkurt të këtij viti, policia kufitare e Sarandës hasi në një rast të ngjashëm në ujrat përballe ishujve të Ksamilit. Policia ndoqi një varkë plazhi që drejtohej nga dy persona, nga i cili u hodhën dy thasë me 47 kg marijuanë. Policia kapi drogën, ndërkohë që varka arriti të futej në ujrat greke.Ksamili, rruga detare drejt tokës së premtuar Ksamili është konsideruar si rruga drejt tokës së premtuar për vite me rradhë, nga ata që guxonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme drejt ishullit grek të Korfuzit.Afërsia që kanë “Pema e thatë”, ishujt apo vendi i quajtur “PSV” me Kasiopin e Korfuzit, është përdorur shpesh nga klandestinët por edhe nga trafikantët e drogës.Ngjarja më fundit është ajo e qershorit 2013, kur Ilir Çuni, 41-vjeç, nga lagjia “Allias” e Tiranës tentoi të kalonte me not nga Ksamili në Korfuz, por u mbyt e kufoma e tij doli dy ditë më pas në sektorin “Apolonia” të Durrësit.