Prezantohet Kodi i ri Doganor, Rama e Spiropali: Luftë korrupsionit në këtë sektor

Është prezantuar sot në Durrës, Kodi i ri Doganor, i cili do të hyjë në fuqi më 1 janar 2015 dhe që synon të vendosë një marrëdhënie të re të doganave dhe biznesit.Gjatë prezantimit të tij, kryeministri Rama tha se prioritet do të jetë lufta ndaj korrupsionit, burokracisë dhe informalitetit.“Kjo është një ditë e shënuar në marrëdhëniet mes shtetit e biznesit, në marrëdhëniet e doganave me eksportuesit e importuesit. Kjo ditë shënon ndërmarrjen e një hapi të madh e të shumëpritur në drejtim të rritjes së sigurisë për eksportuesit dhe importuesit, në drejtim të futjes së inovacionit në funksion të luftës me burokracinë dhe korrupsionin”, tha Rama.Rama e ka quajtur këtë si një fazë transformimi rrënjësor dhe historik të doganave shqiptare, ku Dogana dhe Tatimet janë krahët me të cilët shteti u shërben njerëzve të binesit.“Doganat shqiptare janë në një fazë transformimi rrënjësor e historik për të bërë kapërcim nga një epokë zvarritje në batakun e prapambetjes, të boshllëkut, të marrëdhënieve mes shtetit e biznesit në një epokë të qasjeve të mëdha të shtetit me biznesin. Ne do ta kthejmë  nga një epokë ku biznesi është parë si një burim paraje, në një epokë ku biznesi të trajtohet si partner strategjik, ku Dogana dhe Tatimet janë krahët me të cilët shteti u shërben njerëzve të binesit. Do bëjmë të mundur që në 1 janar të vitit të ardhëm, marrëdhënia mes eksportuesve dhe importuesve do ndërtohet me këtë kod. Shteti nuk është më padroni, dhe sipërmarrësi skllavi që takohen të dy në një pikë doganore, sipërmarrësi sot është zot në punën e tij dhe shteti shërbëtor i sipërmarrësit për të mundësuar që të ardhurat të rriten falë besimit te shteti, jo tek gjobat e bllokimet”, theksoi Rama.Ndërsa, drejtoresha e doganave theksoi se kryeministri dhe qeveria kanë dhënë mbështetjen e plotë për funksionimin e këtij projekti, një project me anë të të cilit synohet modernizim i sistemit të doganave dhe mbrojtja e vendit nga tregtia e paligjshme.Spiropali u shpreh se Kodi i ri ka shumë risi që mundësojnë dhe lehtësojnë marrëdhëniet e doganës me biznesin dhe afron administratën doganore shqiptare me standardet e Bashkimit Europian.“Me kodin e ri të doganave kursehet kohë dhe para. Kodi nuk është kusht për në BE, nuk është një rrugë për diku, por për të ndërtuar shtetin e europian brenda nesh.”, theksoi Drejtoresha e Doganave