Qeveria mohon rritjen e taksave, Ahmetaj: Marrëveshja me FMN-në mbron shqiptarët
Marrëveshja e huasë nuk ka asjë detyrim për rritje të nivelit të taksave. Ministri i zhvillimit Ekonomik Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj në një konferencë për shtyp ka shpjeguar se qytetarët shqiptarë nuk do të preken por do të mbrohen prej marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar duke iu siguruar rritje ekonomike."Marrëveshja me FMN-së është negociuar me kërkesë të autoriteteve shqiptare, në dritë të diellit, në sytë e të gjithë publikut shqiptar. Një pjesë e marrëveshjes është reflektuar edhe në paketën fiskale që ne kemi miratuar në parlament, paketa që uli taksat për 97 përqind të shqiptarëve. Si pasojë e kësaj pakete fiskale në 1 prill hiqet TVSH-ja e medikamenteve, një nga masat e uljes të taksave që qeveria shqiptare ndërmori brenda paketës dhe brenda programit me FMN-në. Arsyeja se përse ne e thirrëm FMN dhe BB-në sërish në Shqipëri është e kundërta e asaj që Sali Berisha e refuzoi FMN-në në qeverisjen e tij. Është pikërisht transparenca. Qeveria Rama e kërkoi FMN të bashkohej me ne për një rritje të qëndrueshme afatgjatë të ekonomisë. Marrëveshja do të vendosë shtylla të rëndësishme të bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare, me përgjegjësi të drejtëpërdrejta që qeveria shqiptare i merr me vetëdije në mënyrë që të përjetojmë atë që fakt kemi filluar të përjetojmë rritjen ekonomike. Marrëveshja me FMN-në erdhi si domosdoshmëri për të mbushur atë gropë që qeveria Rama trashëgoi nga paraardhësi i cili e ka quajtur FMN-në si dëshmitar I rremë. FMN, në këtë marrëveshje është bashkëpunëtori i qytetarit shqiptar dhe në favor të zhvillimit ekonomik. Ne kemi arritur një marrëveshje e cila jo vetëm uli taksat por hodhi në dritë të diellit të gjitha problemet që ekonomia shqiptare kishte në vite" tha Ahmetaj.Gjthashtu ministri Ahmetaj sqaroi se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për qytetarët.Reagimi i ministrit Arben Ahmetaj ka ardhur pas publikimit të raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar ku sygjerohej një politikë më e shtrënguar financiare si dhe zgjerim i bazës së taksimit për të ulur deficitin dhe borxhin publik.