Ministri i Mjedisit letër njësive vendore, Koka: Menaxhoni mbetjet, ose do penalizoheni

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka urdhëron drejtuesit vendorë që të marrin masa të menjëhershme për menaxhimin e mbetjeve të cilat janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e pushtetit vendor.Në një letër dërguar 390 kryetarëve të komunave dhe bashkive në të gjithë vendin, Koka thekson se nëse nuk do të merren masa më këtë drejtim deri më datën 30 prill atëherë Ministria e Mjedisit, në përputhje me ligjin do të penalizojë drejtuesit e njësive vendore me gjobë nga 500.000 lekë deri në 1.000.000 lekë.Gjithashtu në letër theksohet se nëse do të konstatohet përsëritje e kundravajtjes Ministria e Mjedisit do të marrë masa më të rënda ligjore duke i propozuar Këshillit të Ministrave që t’i kërkojë Këshillit të Komunës/Bashkisë shkarkimin e Kryetarit për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi.Në fund të letrës së tij, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka u kujton drejtuesve vendorë se ata janë të zgjedhur nga qytetarët për tu shërbyer atyre sa më mirë.“Gjendja e rëndë e mbeturinave në territorin që ju administroni dëshmon për një neglizhencë dhe papërgjegjshmëri në të shkuarën, ndaj detyron Ministrinë e Mjedisit, që në mbrojtje të standardit të jetës së qytetarit, të marrë masa ligjore ndaj çdo drejtuesi të pushtetit vendor, pa asnjë dallim partiak” shkruhet në letrën që Ministri i Mjedisit u ka drejtuar të gjithë drejtuesve të qeverisjes vendore në Shqipëri.