Presidenti i Bylisit Besnik Kapllanaj jep dorëheqjen dhe vetëdorëzohet në polici

Presidenti i klubit të futbollit të Bylisit, Besnik Kapllanaj ka dhënë dorëheqjen dhe është dorëzuar në policinë e Fierit. Reagimi vjen pak ditë pas incidentit që ndodhi në fushën e blertë. Në fund të ndeshjes Bylis-Laçi, Kapllanaj goditi me sende të forta të deleguarin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Besnik Çela i cili përfundoi në spital pas plagëve që mori.Në momentin e dorëzimit në policinë e Fierit Besnik Kapllanaj ka deklaruar se nuk ishte në dijeni se ishte në kërkim, por se është gati të japë deklaratat e tij për incidentin, që riktheu dhunën në futbollin shqiptar.“Dje pasdite mësova se ka pasur një urdhër ndalimi për mua dhe menjëherë vendosa të paraqitem përballë drejtësisë.  Pas dhënës së një penalltie në minutat shtesë më është kërkuar ndihmë nga vetë delegati Besnik Çela dhe stafi im që të qetësonim tifozët që ishin tepër të irrituar me anësorin Ermal Barushi i cili ka arbitruar edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë. Kam hyrë në stadium dhe për 3-4 minuta jam përpjekur që të qetësoja tifozët në mënyrë që të vazhdonte loja dhe në momentin kur unë po shkoja drejt tribunës është gjuajtur penalltia nga lojtari Vuçaj. Pati një irritim të madh nga tifozët dhe vetë drejtusit e Laçit dhe vetë lojtari Vuçaj më janë kthyer në drejtimin tim duke më akuzuar se çfarë janë këtë gurë. Ka nisur një konflikt aty i cili ka arritur edhe në konfrontim fizik. Aty ka ardhur edhe delegati Çela dhe pa dashje ka ndodhur ky incident.  Unë jam akuzuar shumë këto ditë dhe është abuzuar shumë me emrin e tij. Po shkoj të përballem me drejtësinë dhe do t`i them si është e vërteta” ka theksuar Kapllanaj.Ndërkohë në lidhje me këtë incident pritet që edhe Komisioni i disiplinës të marrë një vendim për ekipin e Bylisit.