S’ka toka për ish-pronarët në bregdet, Kuvendi rrëzon draftin “Mediu”

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka rrëzuar amendamentin e kreut të PR-së, Fatmir Mediu, për kthimin e tokave të bregdetit pronarëve të ligjshëm. Deputeti Mediu ka shpjeguar se çështja e pronave në zonën e jugut është një problem që duhet të kete zgjidhje sa më pare, pasi është abuzuar në dhënien e tyre. Mediu e përcaktoi ligjin 7501, si shkatërrues të çështjes së pronësisë.“Ky projektligj synon të përmirësojë situatën për kthimin e pronave pronarëve legjitimë, tokat e të cilëve përfshihen me vendndodhje në zonat e parashikuara me ligj të posaçëm për zhvillimin e turizmit. Nga ana tjetër kjo do të ndikonte në mënyrë të ndjeshme në uljen e faturës financiare për ata pronarë të cilëve i është njohur e drejta e pronësisë nga AKKP-të, por që janë kategorizuar në subjekte që duhet të trajtohen me kompensim financiar. Është llogaritur që zbatimi i këtij projektligji nuk ka asnjë efekt negativ në buxhetin e shtetit, pasi realizohet pa shpenzime shtesë nga Agjensia e Kthimit e Kompensimit Pronave dhe zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Madje zbatimi i tij do të ulte faturën financiare që do të nevojitej për kompensimin e pronarëve të këtyre zonave, e cila bazuar në çmimet mesatare të miratuara për këtë zone, shkon në rreth 74 milion euro, ndërsa me çmimet mesatare të tregut të lirë në rreth 2 miliard euro. miratimi dhe zbatimi i këtij propozimi i shërben jo vetëm interesit të pronarëve të ligjshëm e drejta e të cilëve është nëpërkëmbur prej më shumë se 20 vitesh tashmë, por edhe në interesin më të mirë të një zhvillimi të qëndrueshëm të turizmit në zonat bregdetare dhe për rrjedhojë në interes të ekonomisë kombëtare” tha Mediu.Kreu i Komisionit, Eduard Shalsi, e përcaktoi amendamentin si të pamjaftueshëm për të zgjidhur çështjen e pronave në tërësi. Ndërkohë që e vlerësoi situatën si alarmante, pasi Gjykata e Strasburgut po rrit faturën dita-ditës me vendimet në favor të pronarëve të ligjshëm.“Kjo mazhorancë ka hartuar një plan pune dhe veprimi për çështjen e pronës që është mbështetur edhe nga komiteti i ministrave të Këshillit të Europës. Çdo tentativë për të zgjidhur çështjen e pronës me forma të tilla do të jetë e dështuar që në krye të herës. Pa unifikuar institucionet, pa dixhitalizim dhe pa një bankë të dhënash çështja e pronës do të vazhdojë të rrokulliset në të tatëpjetën që ka marrë,” tha Shalsi.Ndërkohë që përfaqësuesi i PDIU-së, Dashamir Tahiri, që logjikisht përfaqëson edhe komunitetin çam ka shkuar më tej, duke kërkuar që në projektligj të përfshihen edhe tokat në Greqi.Ndryshimet në projektligjin e prezantuar nga Fatmir Mediu synonin që pronat e shtetëzuara, konfiskuara ose marrë në çdo mënyrë tjetër nga shteti, që janë të përfshira në zonën me përparësi turizmin, të kalojnë në pronësi të pronarëve që i kanë zotëruar ato para vitit 1945.