Etatizmi: zgjidhja vetëvrasëse e Shqipërisë postkomuniste

Edhe sa me iluzione? Deri kur do na shoqërojë trashëgimia e nevojës për të besuar gënjeshtra ndonëse e dimë që janë të tilla? Edha sa dekada do t’i falim historisë në besime që veçse shtojnë varfërinë, në besim në shtetin-Zot? Ndonëse në analizat që kemi bërë për socializmin shqiptar rëndom kemi marrë doktrinën marksiste si referencë, ajo çka karakterizoi socializmin shqiptar shtrembëroi dhe vetë doktrinën në shërbim të një çmendurie të organizimit të shtetit dhe shoqërisë.Kështu, kur diskutojmë për etatizmin dhe mbartësin e tij modern, socializmin, duhet theksuar se fati i Shqipërisë u kushtëzua fort nga versionet e tyre sovjetiko-aziatike. Në ish-Gjermaninë Lindore dikur tregohej një shaka mjaft e përhapur, pikërisht sepse ishte subversive: “Ç’do të ndodhte nëse shkretëtira do të bëhej socialiste? Përgjigja: Asgjë s’do ndodhte në fillim, por pastaj banorët e shkretëtirës do të vuanin nga mungesa e rërës…”.Në vitin 1910, ekonomisti i shkëlqyer Iv Gijo analizoi me mprehtësi socializmin, duke iu referuar atij si “Çezari i ri”:Politikat socialiste janë një kërcënim i përhershëm ndaj lirisë dhe sigurisë së qytetarëve, ndaj asnjë qeveri nuk duhet t’i vërë në përdorim ato. Nëse njerëzit bien pre e një qeverie të fortë, atëherë përveç çezarizmit s’do të marrin në këmbim asgjë tjetër. Socializmi në pushtet s’bën gjë tjetër veçse fshin nga fasadat e ndërtesave publike tri fjalët e Republikanizmit:

  • Lirinë – sepse socializmi është sundimi i tiranisë dhe i policisë;
  • Barazinë –sepse socializmi është sundimi i një klase të vetme;
  • Vëllazërinë –sepse politika e socializmit është politika e luftës së klasave.
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit që lamë pas, në vendin tonë liria u suprimua në emër të çezarizmit klanor, vëllazërisë kolektiviste dhe barazitizmit primitiv. Në vend të një kopshti shkëmbor, Shqipëria u shndërrua në një kamp ushtarak – një Kore e Veriut në brigjet e Adriatikut. Etatizmi ekstrem i modelit kinez është pjesë përbërëse e trashëgimisë sonë socio-kulturore, ideologjike dhe shtetërore. “Njëqind këngët e shekullit” që edhe sot e kësaj dite gjëmojnë çdo mëngjes nga altoparlantët e shkollës “1 Maji” në Tiranë, të përdorura si mjet edukimi masiv, ilustrojnë thjeshtësisht konceptin. Dhe pikërisht duke kaluar nëpërmjet një trashëgimie të tillë, thellësisht lindore, thellësisht etatiste, thelbësisht socialiste, thellësisht klanore, zvarritemi mundimshëm drejt Evropës.Shpeshherë etatizmit i mohohet karakteri ideologjik. Ai konsiderohet thjesht si një përqasje praktike për të arritur objektiva socialë dhe ekonomikë në kushtet e një ekonomie të pazhvilluar. Në vendet me zhvillim të vonuar si Shqipëria, etatizmi i fazës së hershme të diktaturës komuniste ende shihet nën prizmin e nostalgjisë së “revolucionarizimit” të një vendi thelbësisht postfeudal nëpërmjet “ndërhyrjes vendimtare” të shtetit. Pikërisht në të njëjtën kohë, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Ludvig Fon Mises jepte në mënyrë thuajse profetike njërin nga përkufizimet më të shkëlqyera të etatizmit modern, i cili njëkohësisht ngërthen një nga gjenealogjitë më të mira të tij:“Ngjarja më e madhe në historinë e 100 viteve të fundit është zëvendësimi i liberalizmit nga etatizmi. Etatizmi shfaqet në dy forma: socializmin dhe intervencionizmin. Të dyja këto forma kanë si synim nënshtrimin pa kushte të individit ndaj shtetit, si dhe aparatit social të detyrimit dhe monopolit të dhunës të mbajtur prej tij”.Në Shqipërinë e pjesës së dytë të shekullit të njëzetë, etatizmi, nën flamujt e marksizëm-leninizmit, i kombinuar me ndihmën ekonomike të vëllezërve komunistë, dukej se ishte zgjidhja më e mirë për rimëkëmbjen e vendit dhe mobilizimin e burimeve ekzistuese dhe të mundshme të ekonomisë kombëtare, duke iu larguar zhvillimit kapitalist, të bazuar në krijimin dhe investimin e kapitalit të brendshëm, i cili mund të angazhohej vetëm në kurriz të konsumatorit vendas. Nga ana tjetër, kapitali ishte një fjalë e huaj për vëllezërit socialistë. Kësisoj zhvillimi ekonomik u vendos i tëri “mbi shpatullat e gjera” të shtetit. Ka një thënie shumë të bukur, sipas së cilës “etatizmi fillon aty ku mbaron sipërmarrja private” – aty ku shteti diversifikon depërtimin e tij në ekonomi, sipërmarrja private thahet si pema së cilës i mungon toka në rrënjë.Ndërkaq, “shpatullat e gjera” të shtetit shqiptar vazhdojnë të jenë një iluzion pseudo-progresist. Është fare e qartë se shteti shqiptar nuk ka shpatulla të gjera. Por ajo që na shqetëson nuk janë shpatullat e shtetit apo propaganda absurde e qeverisë. Shqetësuese është mendësia etatiste që vazhdon të gjallojë si një mikrob i lig në gërdallën e një shteti të dështuar, i cili i ka hipur kaliqafë tregut të lirë dhe i thotë “ec!”, – drejt një Evrope, të cilën kësisoj nuk do ta arrijë dot kurrë.Është kjo mendësi etatiste e cila vazhdon të na thotë se Shqipëria është fanar ndriçues (jo për gjithë botën, por të paktën për rajonin), është kjo mendësi etatiste që premton vende pune, kur dihet fare mirë që shteti mund të krijojë vende pune “të sigurta” vetëm në administratë. Dhe “sigurisht” një shtet si i yni, këto vende pune ua siguron administratorëve partiakë -kryesisht atyre që ecin më shpejt. Reforma strukturore, kërkesa evropiane për shmangien e etatizmit në ShqipëriEkziston një togfjalësh i cili përmendet vazhdimisht në tryezat Tiranë-Bruksel:reformë strukturore. Togfjalësh që përmendet pak në emisionet dhe debatet televizive, shumë pak në gazeta, dhe ca më pak akoma në debatet midis kampeve politike.Ç’është reforma strukturore? Para së gjithash, është përshtatja e institucioneve me dinamikën e shoqërisë. Reformë strukturore do të thotë struktura horizontale, jo hierarki thelbësisht vertikale, do të thotë që bashkë me pozicionin e një nëpunësi të njihet dhe autoriteti, kompetencat funksionale të tij, do të thotë që kompetencat e nëpunësit të mos të avullojnë përballë hijes, aureolës, apo thjesht një gjesti të eprorit. Është një fakt real që në Shqipëri shumëçka ka ndryshuar, për mirë a për keq, por kultura administrative mbetet e njëjta. Ndoshta në krahasim me njëzet vite më parë kemi më shumë ministri, por përveç numrit të ministrive dhe faktit që fotografitë e seminareve të qeverisë tashmë janë absolutisht profesionale, asgjë s’ka ndryshuar: njerëzit vijnë dhe ikin, mendësia parazitare “e punës në shtet” mbetet e njëjta -ndërsa shoqëria dhe tregu zhvillohen me një shpejtësi krejt tjetër.Etatizmi shqiptar është një rreth vicioz. Ndërsa aparati qeverisës nuk ka kapacitete të ndryshojë dhe të bëjë efektiv menaxhimin dhe administrimin e aseteve, shteti fillon t’i lëshojë ato në privatizime, por, me t’i lëshuar asetet, duke ia deleguar pronësinë sektorit privat, shteti, si pronari i vjetër që s’ka hequr dorë, menjëherë tenton të vjelë maksimumin prej tyre, pa krijuar asnjë rrethanë apo rregull loje që sektori privat t’ia dalë mbanë. Por, e keqja e madhe nuk qëndron thjesht në faktin se shteti nuk është i zoti të krijojë praktika favorizuese për biznesin. Në fakt, shteti nuk mund të ndërtojë në praktikë atë që as në teori nuk e njeh. Ndaj rrethanat për biznesin, për lirinë e tregut janë absolutisht të pafavorshme.Në këto rrethana, nëse nuk ndërtohen kushte për ekonomi tregu, privatja e privatizuar nuk e prodhon dot tregun. Për këtë arsye shteti duhet doemos të krijojë parakushtet, në mënyrë që privatja të japë eficencën mbi to. Në Shqipëri kjo s’ndodh, sepse shteti nuk heq dorë. Ai vazhdon ta trajtojë tregun si pronën e tij. E keqja qëndron pikërisht këtu: vektori i privatizimit përkulet dhe të bëhet rreth, një rreth vicioz. Duke qenë të paaftë për të ndërtuar parakushte -rrethana për ekzistencën e tregut, privatja mbijeton me vështirësi, konsumatori nuk merr përfitime dhe shërbime, vende pune nuk shtohen dhe sipërmarrja vijon të mbesë e përulur për ndonjë privatizim tjetër të radhës për të përfituar ndonjë godinë apo aset, por thuajse kurrë diskuri mes privates dhe publikes nuk bëhet për të ndërtuar rrethanën, terrenin, kontekstin, pra rregullat e lojës, siç do të thoshte çdo ekonomist, dhe jo vetëm liberal, që më në fund tregu të ekzistojë.Negociohet fort me klasën qeverisëse për të përfituar asete, projekte, kontrata apo çdo gjë të akuistueshme por kurrë nuk negociohen rregullat e lojës. Dhe kjo sepse mungon kultura e ndërtimit të tregut të lirë. Shqiptarëve nuk u mungon shpirti sipërmarrës, nuk u mungon guximi për të tentuar dhe prodhuar, por u mungon shumë, dhe në thelb, kultura e mirë-menaxhimit, dhe diçka më pak, kultura e shërbimit, kultura e biznesit.Për ta kuptuar më mirë këtë, mjafton t’i referohemi një postimi në rrjetet sociale të një vajze të re, e cila ironizon këndshëm se në Shqipëri për t’u pasuruar me anë të një biznesi bar-kafe, mjafton të blesh disa filxhanë, të sigurohesh që ke ujë çezme, të blesh neskafe supermarketi për 25 lekë dhe ta shesësh 150 lekë, dhe të shohësh shtrembër klientin që të ikë shpejt! Përtej stilit të këndshëm, komentatorja jonë natyrshmërisht “harron” që filxhanët duhen larë, që bar-kafeja duhet pastruar, që mobilimi duhet të jetë i përshtatshëm, që qiraja, uji dhe dritat duhen paguar, që klientëve u duhet buzëqeshur, që muzika duhet të jetë e pëlqyeshme, kafja e shijshme, që tatimorët duhen “respektuar”…që, nëse do që të kesh realisht sukses në biznes në kushtet e Shqipërisë, sfidat, dilemat dhe detyrat e natyrës praktike dhe etike janë të pafundme.*Vijon nesër. Shkrimi është përshtatje e kumtesës së autores, mbajtur në Forumin Ekonomik të Tiranës, organizuar nga Fondacioni për Liri Ekonomike.  /Burimi: mapo.al/