“Shteti kundër shtetit”, përplasja e politikës njollos Ditën e Verës

Dita e verës e këtij viti është kthyer në një festë të njollosur me kontributin e drejtëpërdrejtë të shtetit e politikës. Qeveria dhe Bashkia pas sinjaleve të përplasjes që në ideimin e festimeve, e kanë konkretizuar këtë gjatë natës, ku nuk kanë munguar as përleshjet mes dy policive.Rrezet e Ditës së Verës nuk e kanë zbutur aspak tensionin që ka kulmuar me betejën për fushën e basketbollit, ku Bashkia do të ndërtonte tenden, e ndërsa Rama do luante basketboll.Pas gati një ore debate mes policisë bashkiake dhe asaj të shtetit, ku nuk kanë munguar as kërcënimet, situata është qetësuar duke lënë pas zeherin e deklaratave të të dyja palëve që gjithsesi kanë festuar ndarazi.“Dua të sqaroj këtu se çdo aktivitet që ndodh në territorin e Bashkisë Tiranë duhet të pajiset me leje nga autoriteti i Bashkisë së Tiranës. Kjo është tradita dhe kështu ka ndodhur gjithmonë, pavarësisht kush ka qenë kryetar bashkie dhe kush ka qenë kryetar i qeverisë. Deri dje, nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga z. Veliaj i cili praktikisht duhej të na tregonte ku kishte ndër mend qeveria të organizonte dhe cilat do ishin vendet për organizimin e aktiviteteve. Dje në darkë, teksa tentonim të instalonim disa pajisje tonat për performancën e të rinjve në qendër të kryeqytetit, morëm vesh se aty kryeministri duhej të ndërtonte një fushë basketbolli, duhej të luante dhe të shënonte të nesërmen (sot) patjetër një kosh. Kërkesës sonë nëse ishte pajisur me leje nga Bashkia, iu përgjigj vetëm me kërcënime. U dhunua Policia Bashkiake e cila bënte detyrën e saj, për fat të keq u kërcënua me jetë shefja e Kabinetit të kryetarit të Bashkisë, ndërsa sot në mëngjes konflikti vazhdoi , fëmijët nuk u lejuan dhe jo vetëm. Në praninë e forcave të shumta policore, edhe të ndërhyrjes së shpejtë u krijua një situatë absolutisht e panevojshme për këtë ditë, nga frika dhe terrori. Më vjen shumë keq ta them që me gjithë përpjekjet tona për të arritur një koordinim për këtë ditë, ne patëm vetëm mospërfillje dhe kërcënime nga ana e qeverisë dhe kjo është pjesa tjetër që nuk duhej të ndodhte kurrsesi në këtë ditë të bukur. Konflikti politik nuk mund të zgjatet deri në këtë nivel, veçanërisht në këtë ditë por me sa duket secili e feston Ditën e Verës në mënyrën e tij. Qytetarët e festojnë me hare e gëzim, disa të tjerë duke nxitur konfliktin. Kjo nuk është më çështja jonë por është çështje e mungesës së qytetarisë, mungesës së një dëshire të mirë, për të festuar të gjithë së bashku”tha Bozdo.“Ministria jonë ka çuar një listë me aktivitete jo vetëm Bashkisë por gjithë qytetarëve. Bashkia e Tiranës duhet të përshkohet nga energji pozitive. Detyra nuk është të bllokojë por të ndihmojë. Koha e bllokuesve ka mbaruar. Tirana ka shumë mundësi ka hapësirë edhe për bashkinë që të kontribuojë. Kur vjen puna për të uruar një stinë të re dhe për të filluar mbarë punën bashkia duhet të na bashkohet. Dua ti uroj shqiptarëve gëzuar një stinë të mbarë. Ne jemi në një proces të ribrandimit të Shqipërisë. Kemi nevojë që logoja e Shqipërisë të identifikohet me një traditë të lashtë dhe të bukur. Brendi dhe logoja e Shqipërisë është në proces riformatimi. Janë gjera që ja vlen të bashkohemi dhe të punojmë qeveri dhe opozitë”theksoi Veliaj.Gjithsesi politika edhe këtë herë ka fituar betejën e saj me festën, duke lënë të hutuar qytetarët të cilët edhe ditën e pushimit kanë përjetuar më nga afër tensionin politik mes dy palëve.