Venizelos "trondit" qeverinë shqiptare: Do ratifikojmë paktin e 2009 për kufirin detar
Zv. kryeministri i Greqisë Evangelos Venizelos është shprehur se pala greke shpreson që të ratifikohet pakti për delimitimin e kufirit detar me Shqipërinë, që është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.Duke folur në takimin e forumit të energjisë “Athens Energy Forum 2014”, që filloi të enjten në kryeqytetin grek, Venizelos theksoi se pakti duhet të ratifikohet sipas së drejtës ndërkombëtare.“Shpresojmë që pas bisedimeve që kemi bërë me qeverinë shqiptare dhe në frymë miqësie dhe fqinjësie të mirë, marrëveshja që u nënshkrua në 2009 për delimitimin e zonave detare do të ratifikohet dhe do të hyjë në fuqi, siç duam që të dyja palët; gjithmonë në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, me të njëjtat rregulla referimi dhe në kuadrin e gjerë të marrëdhënieve tona të shkëlqyera që e çojnë Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, pas anëtarësimit në NATO”, theksoi Venizelos.Venizelos gjithashtu theksoi se presidenca greke i kushton rëndësi të veçantë çështjeve të energjisë, pasi ato influencojnë drejtëpërdrejtë edhe politikën e jashtme.Venizelos iu referua objektivave të Greqisë në “skakierën” energjitike, duke nënvizuar se vendi dëshiron një negociim unik në nivel europian, lidhur me çmimin e shitjes së gazit natyror, me qëllim arritjen e një çmimi të përbashkët, gjë që nuk do të lejonte hapësira për ulje ngritje çmimesh, siç bëhet deri më sot.