Sikur të isha kuisling

Qarkulloi këto ditë, në mediat, lajmi për një deklaratë të Artan Shkrelit, arkitekt dhe këshilltar i kryeministrit Rama, bërë në një emision televiziv, se po të kish jetuar në periudhën e Luftës, do të ishte bërë ministër i qeverive të atyre kohëve.Edhe pse lajmi më mbërrin i filtruar dhe nuk i kam fjalët e sakta të Shkrelit, lexoj se ky e ka argumentuar këtë zgjedhje me faktin se ministrat shqiptarë të viteve 1939-1944 punuan për vendin e tyre dhe se, falë edhe përpjekjeve të këtyre shtetarëve, çështja kombëtare shqiptare në ato vite ishte zgjidhur, meqë shqiptarët jetonin të bashkuar në një “shtet.”Kjo deklaratë, e bërë nga një eksponent i shoqërisë civile i afërt me të majtën, ngjalli jo pak bujë, për arsye të kuptueshme.Si çdokush tjetër, kur lexova për ç’kish thënë Shkreli, menjëherë ia bëra këtë pyetje vetes – po unë, ç’anë do të kisha zgjedhur, po të kisha qenë i rritur në atë periudhë?Pa pikë dyshimi do të isha rreshtuar me Frontin; fashizmi dhe nazizmi për mua mbeten njëlloj të neveritshëm si edhe komunizmi – por ndryshe nga qeveritë kukulla të periudhës së Luftës, të cilat haptazi bashkëpunonin me to dhe u shërbenin, Fronti ende nuk kish dalë hapur në simpatitë e veta dhe në thelbin e vet komunist.Më duhet ta pohoj tani menjëherë: Shkrelin e kam shok dhe nuk më vete mendja ta gjykoj këtu për një deklaratë, aq më tepër që nuk di mbi ç’bazë dhe pse e ka bërë; dhe që gjithsesi i përket më shumë fantahistorisë sesa politikës.Por ma merr mendja se me Shkrelin si ministër në Tiranë, unë si anëtar i kryesisë së Frontit – nuk na pengon kush të përfytyrojmë skenarë të pamundshëm – do të kisha gjetur gjuhë të përbashkët dhe kushedi do të ishim marrë vesh për shumë gjëra.Ka një tregim të famshëm, të Ray Bradbury-t (A Sound of Thunder), ku një kompani e cila ka shpikur udhëtimin mbrapa në kohë, organizon udhëtime në Tokën e qindra miliona vjetëve më parë; me kusht që udhëtarët të mos sjellin asgjë me vete, në të tashmen. Pa u futur në hollësi këtu, një prej udhëtarëve frikësohet nga një dinosaur, del nga shtegu i përcaktuar më parë dhe shkel një flutur, të cilën e sjell pastaj me vete në të tanishmen. Rezultati: në kthim e gjen Amerikën me një president tjetër.Edhe ky tregim m’u kujtua, kur e përfytyrova Shkrelin ministër në Tiranë, në kohën e Luftës. Thonë se tregimi i Bradbury-t i ka paraprirë të mirënjohurit “efekt të fluturës” në teorinë e kaos-it; por gjithsesi, një ndryshim i vogël, madje i papërfillshëm, në rendin e sendeve mund ta përmbysë historinë – sikurse na i kujtojnë vazhdimisht të gjithë ata që e dinë se Napoleoni e humbi betejën e Waterloo-së për faj të hemorroideve.Pra ja edhe një skenar tjetër: Shkreli ministër në Tiranë dhe fuqitë e aksit që fitojnë luftën kundër Aleatëve – shqiptarët jetojnë të bashkuar si arianë nën Reich-un e Tretë, dhe unë si i Frontit i kam lënë ndërkohë kockat në një kamp përqendrimi, qoftë edhe si ai që kishin ngritur gjermanët në Prishtinë (një tetoja ime ka qenë atje, dhe megjithëse shpëtoi gjallë, ndryshe nga ata njëqind e kusur shqiptarë që vdiqën, doli që andej e transformuar krejt, e plagosur së brendshmi dhe kurrë nuk foli për çfarë kishte përjetuar).Edhe ky skenar është imagjinar – kushedi Shkreli nuk do ta kish lejuar kampin në Prishtinë, ose do t’i kish mbrojtur kundërshtarët e vet të Frontit me po aq zell sa ç’mbrojtën ministrat e asaj kohe hebrenjtë, sikurse e dimë tani të gjithë; kushedi edhe unë, si “agjent” i anglezëve në radhët antifashiste, do ta kisha penguar Enverin të merrte pushtetin dhe do ta kisha orientuar Shqipërinë e Pasluftës për nga Perëndimi. S’e them unë këtë, e ka thënë Bradbury!Por të gjitha këto janë spekulime në kufi të shakasë, dhe nuk po i quaj shaka, sepse janë pak si pa shije. E vërteta është që, sikur Shkreli të ish bërë ministër i qeverive që u raportonin fashistëve të Duce-s ose, më pas, nazistëve të Hitler-it, pas gjase do të kish përfunduar i pushkatuar, prej komunistëve të Enver Hoxhës, menjëherë pas Luftës; dhe njëlloj i pushkatuar do të kisha përfunduar herët a vonë edhe unë, “i majti” dhe “anti-fashisti”, sepse më duhet të pranoj se, njëlloj sikurse nuk e shoh dot veten në shërbim të kauzës së Romës fashiste apo të Berlinit nazist, më duket njëlloj e pamundur që t’i shërbeja Enver Hoxhës, i cili e shkatërroi vendin tim më shumë e më thellë e më keq se ç’do ta kishin shkatërruar të huajt – qofshin këta italianë, gjermanë, jugosllavë apo rusë.E hidhur kjo fantazi, por kam të paktën ngushëllimin metafizik se, edhe kur ta takoja Shkrelin në anën “e përtejme”, do të na kish vrarë të dyve e njëjta dorë; dhe se udhëtimi ynë në kohë vetëm me nga një plumb zverkut do të kish përfunduar – qoftë edhe për të penguar paradokset përkatëse. /Burimi: mapo.al/