Ministri Bushati vizitë në Kosovë, Konsullata të përbashkëta në Milano e Cambera

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati,në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë, u takua sot me homologun e tij, Enver Hoxhaj.Dy Ministrat vlerësuan karakterin strategjik të marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe domosdoshmërinë për t’i çuar ato më tej, për t’i shndërruar në model të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon, si dhe ndanë mendimin se viti 2013 ishte tejet i rëndësishëm për Republikën e Kosovës e rajonin.Ministri Bushati ritheksoi mbështetjen për zbatimin e mëtejshëm të Marrëveshjes së 19 prillit për formimin dhe forcimin e institucioneve të shtetit ligjor edhe në komunat në veri të vendit, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës. Ai shprehu kënaqësinë për vazhdimin e bisedimeve për hapjen e negociatave për MSA-në me BE-në dhe uroi që sa më shpejt Kosova të plotësojë detyrimet që rrjedhin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Z. Bushati nënvizoi gadishmërinë e Shqipërisë për shkëmbim përvoje në këto dy procese tejet të rëndësishme.Palët ndanë mendimin se që nga mbledhja e 11 janarit në Prizren, është vërejtur një ecuri pozitive në këtë drejtim, janë nënshkruar katër marrëveshje në fushën e energjetikës, punësimit, kulturës dhe turizmit, ndërkohë që pritet të arrihen marrëveshje në fushën e arsimit, financës dhe zhvillimin e projekteve të tjera infrastrukturore, sikurse sanksionohet qartë në deklaratën e Partneritetit Strategjik mes dy vendeve të nënshkruar në Prizren. Të dy ministrat konfirmuan se të dy qeveritë, të Shqipërisë dhe Kosovës, brenda pak ditësh do të miratojnë vendimin për të disbursuar fondin prej 100.000 Euro për maternitetin e Preshevës.Bushati theksoi se ka nevojë për përshpejtim ritmi, që të krijojmë një klimë sa më nxitëse për biznesin në një treg të integruar, për të mundësuar zhvillimin e ekonomive plotësuese, nëpërmjet një strategjie afatgjatë në fushën agro-industriale, që mundëson nxitjen dhe hartimin e përbashkët të politikave të reja dhe konkrete, të cilat sigurojnë një shfrytëzim sa më efektiv dhe racional të potencialeve të përbashkëta.Në bisedimet mes ministrave Bushati dhe Hoxhaj, një vend të rëndësishëm zuri koordinimi dhe bashkërendimi i mëtejshëm i aktivitetit diplomatik mes të dy vendeve, në funksion të afirmimit të mëtejshëm ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, përmes shtimit të njohjeve të reja dhe anëtarësimit të saj në organizma rajonalë, evropianë e më gjerë, me qëllim anëtarësimin e saj në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara. Dy ministrat, sot nënshkruan “Protokollin e Veprimit” për përfaqësim të përbashkët konsullor të dy vendeve tona në Milano/Itali dhe Kanberra/Australi.Me këtë rast, theksoi zoti Bushati, përshëndeta njohjet e reja këtë fillim viti, si dhe shkëmbyem mendime për depërtimin, realizimin e kontakteve dhe më pas njohjeve në rajone, vende e organizata rajonale, ku njohja e saj është ende e pamjaftueshme.Ministri Bushati u shpreh se prania e dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës në rajon, përbën një kapacitet më të madh për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët euro-atlantike të shqiptarëve në rajon. Ai vuri në pah se kjo formë e re bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës është strategjike për ne, stabilizuese për rajonin dhe orientuese për të ardhmen tonë të përbashkët Evropiane. Palët ndanë mendimin se shtetet tona do të shërbejnë si promotorë të evropianizimit të mëtejshëm të rajonit tonë.Ministri Bushati, në vijim të vizitës së tij zyrtare në Kosovë, zhvilloi takime të veçanta me Presidenten e Republikës, zonjën Atifete Jahjaga, Kryetarin e Kuvendit, zotin Jakup Krasniqi, Kryeministrin, zotin Hashim Thaçi dhe Zëvendëskryeministrin për Administrimin e Pushtetit Lokal, zotin Slobodan Petroviç. Bisedimet u përqendruan në dy çështje kryesore, zhvillimi dhe intensifikimi i bashkëpunimit dypalësh dhe domosdoshmëria e zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi, të arritur me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-së.Presidentja Jahjaga shprehu mirënjohjen për rolin dhe kontributin e Shqipërisë në çdo hap dhe arritje që ka shënuar Kosova, përfshi këtu edhe marrëveshjen e 19 Prillit e arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo njëherësh theksoi se Kosova ka nevojë për mbështetjeje edhe në procesin e implementimit të kësaj marrëveshjeje.Ministri Bushati siguroi për mbështetjen e Qeverisë Shqiptare në zbatimin e kësaj marrëveshje, e cila ka dy garantues të mëdhenj, partnerët dhe miqtë e mëdhenj të Kosovës dhe Shqipërisë, BE dhe SHBA. Me këtë rast, Ministri Bushati vlerësoi karakterin strategjik të marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe domosdoshmërinë për t’i çuar ato më tej, për t’i shndërruar në model të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon.Ne takimin me Kryeministrin Thaçi palët nënviziuan idenë se qëllimi kryesor i partneritetit tonë strategjik mbetet veprimi konkret i të dy qeverive tona në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë.Ministri Bushati përgëzoi vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës dhe Kryeministrit Thaçi për zbatimin e Marrëveshjes se 19 prillit, që mundësoi mbajtjen e zgjedhjeve lokale në të gjithë territorin e Kosovës, përfshi dhe veriun e saj dhe konstituimin e të zgjedhurve vendor, në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës.Ministri Bushati u shpreh se viti 2013 ishte i rëndësishëm për Kosovën e rajonin: Marrëveshja Kosovë-Serbi; Negociatat për MSA dhe marrja e udhërrefyesit për liberalizimin e vizave. Ai ritheksoi gadishmërinë e Shqipërisë për shkëmbim përvoje në këto dy procese tejet të rëndësishme që janë sanksionuar dhe në Deklaratën e Partneritetit Strategjik të nënshkruar në Prizren.Një vend të veçantë në këto bisedime iu kushtua domosdoshmërisë së intensifikimit të gjithanshëm të marrëdhënieve dypalëshe, për të krijuar një hapësirë dhe një treg të përbashkët mes dy vendeve.Palët ndanë mendimin se gjatë këtyre dy muajve është vërejtur një ecuri pozitive në këtë drejtim, janë nënshkruar katër marrëveshje në fushën e energjetikës, punësimit, kulturës dhe turizmit, ndërkohë që pritet të arrihen marrëveshje në fushën e arsimit, financës dhe zhvillimin e projekteve të tjera në infrastrukturë.Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se me gjithë arritjet e deritanishme ka ende hapësira për shfrytëzimin më me efikasitet të potencialeve të të dy vendeve. Ministri Bushati u shpreh se mbledhja e ardhshme e përbashkët mes dy Qeverive që do të zhvillohet në Vlorë synon të vitalizojë këto potenciale.Në takimin me Kryetarin e Kuvendit Krasniqi u theksua rëndësia që në kuadër të partneritetit strategjik, krijimi i një tregu të përbashkëtështë me shumë rëndësi për të dy vendet tona, dhe në këtë prizëm u vlerësua dimensioni i bashkëpunimit ndërparalamentar.Ministri Bushati në takim me Zv/kryeministrin Petroviç vlerësoi rolin dhe vizionin e tij në progresin e normalizimit të marrëdhënieve mes shqiptarëve e serbëve në Kosovë, përfshi këtu edhe marrëveshjen e fundit mes Kosovës e Serbisë të arritur në Bruksel. Ai garantoi zotin Petroviç se Qeveria Shqiptare ka përkrahur dhe do të vazhdojë t’i përkrahë projektet e bashkëpunimit ndërkufitar.Në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë Ministri Bushati zhvilloi takime të vecanta me Kryetarin e ri të Komunës së Prishtinës z.Shpend Ahmeti, dhe me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti. Vizita e Ministrit vazhdon dhe gjatë pasdites, ai do të takohet dhe me kryetarët e partive parlamentare, z.Ramush Haradinaj-AAK dhe me z. Isa Mustafa-LDK.Gjatë kësaj vizite, Ministri Bushati do të nderojë dhe përkujtojë figura të çmuara të Republikës së Kosovës, duke bërë homazhe në varrin e Ish-Presidentin Ibrahim Rugova dhe të heroit të lavdishëm Adem Jashari.